Dita e sotme është e veçantë për një ish- futbollist të Vllaznisë: Rauf Çanga mbush 79 vjeç. Një jetë e gjatë pranë sportit, duke qenë pjesë e një brezi të artë sportistësh të cilët i kanë dhuruar shumë emocione shkodranëve. Me kete rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ka lindur në Shkodër më 19 dhjetor të vitit 1943 dhe futbollin e fillon me ekipet zinxhir të Vllaznisë ku trajnerë ka Zyhdi Bakallin dhe më pas Ernest Halepjanin.

Më pas kalon me të rinjtë ku trajner është Xhelal Juka dhe në verën e vitit 1961, ende pa i mbushur 18 vjeç, nis stërvitjen edhe me ekipin e parë. Në vitet 1961-63 luan me ekipin “Shpresa” të Vllaznisë dhe më atë vit më pas shkon ushtar në Peqin dhe për dy vjet luan me Shkumbinin, me emra të tillë si Bujar Cani etj, duke dhënë kontributin e tij edhe për këtë skuadër.

Në janar të vitit 1966 fillon të luajë sërish me Vllazninë, në atë periudhë ku trajner ishte Skënder Jareci. Gjërat nuk shkojnë mirë sepse në dhjetor të vitit 1966 dëmtohet në menisk dhe i nënshtrohet një operacioni me kirurgun Pëllumb Karagjozi.

Periudhë e vështirë dhe madje mendon ndoshta edhe të lërë sportin por është trajneri Xhevdet Shaqiri që kishte marrë në atë kohë drejtimin e ekipit, i cili e sheh duke luajtur në lagje (ishin komshinj) dhe i kërkon të rikthehet të luajë sërish futboll.

Raufi bindet dhe nga viti 1967 deri në vitin 1973 luan rregullisht në formacion me Vllazninë. Ky është viti i fundit sepse në shtator të vitit 1973, sapo ekipi ishte kthyer nga faza përgatitore në Razëm, ai bën operacionin apendisitin dhe më pas, vendos të mos luajë më duke i dhënë fund karrierës sportive ende pa mbushur 30 vjeç.

Ka fituar kupën dhe kampionatin në sezonin 1971-72 dhe i mungonte dhe një trofe tjetër për të marrë titullin “Mjeshtër Sporti” në ato vite, titull që jepej kur një sportist merrte tre trofe të rëndësishëm. Mbetet nje vlere e shtuar e futbollit shkodran.
Gjergj KOLA