Erzenit do t’i rikthehen tifozët në stadium, pikërisht në ndeshjen e së enjtes që do të luhet kundër Bylisit në “Niko Dovana” të Durrësit në orën 13:00.
Në këtë takim të fundit për këtë vit, klubi shijakas ka menduar që të shlyejë gjysmën e mbetur të dënimit, duke e konvertuar me gjobë në FSHF në masën e 10 milionë lekëve të vjetër. Lajmin e konfirmoi fillimisht Komisioni i Disiplinës.
“Pranimin e kërkesës së KF Erzeni. Konvertimin me gjobë në masën 1 milion lekë të rinj, të dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës dhe për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës. Shuma e gjobës do të zbritet nga të ardhurat që KF Erzeni do të marrë prej të ardhurave nga e drejta televizive për sezonin 2022- 2023”, citohej në vendim. Klubit i ishte dënuar fusha me 4 ndeshje pa tifozë, ndërsa kishte shlyer vetëm dy takimet ndaj Kastriotit dhe Partizanit. Ndërkohë, vetë klubi, pasi vendosi të shpenzojë një shumë të majme për rikthimin e tifozëve, bëri këtë apel:
“Dëshirojmë të njoftojmë sportdashësit dhe tifozët e KF Erzeni mbi vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës. Pagesa e gjobës do të përballohet nga sponsorët dhe dashamirësit e klubit. Sa më sipër u kërkojmë me dashamirësi të gjithë tifozëve që vijnë të mbështesin ekipin e tyre të zemrës. Stop dhunës dhe hedhjes së sendeve në stadium. Çdo veprim apo hedhje e sendeve dëmton ekipin dhe financat e klubit. Kërkojmë nga tifozeria mirëkuptim dhe vetëpërmbajtje. Të gjithë së bashku do ta çojmë Erzenin përpara”.
SITUATA – Humbja e fundit në Laç e ka afruar ekipin e Kapllanit me ndjekësit më të afërt në klasifikim. Skuadrat e pozicionuara në fund kanë fituar ndeshjet e tyre përkatëse, duke e bërë kështu kampionatin më të ngjeshur dhe më të vështirë. Lojtarët që kishin spikatur së fundmi tek Erzeni duke shënuar gola rregullisht si Nonato dhe Kahrimanoviç, patën mungesë shënjestre në Laç, duke shpërdoruar pa fund bashkë me sulmuesit e krahut, Iliri Ademi apo Florijan Kadriu.