Nga Gjergj KOLA

Sot mbush 73 vjeç. Shumë vite të kaluara por ajo që është më interesantja plot 57 prej tyre I ka të lidhura ngushtësisht me sportin, 10 prej të cilave si sportist dhe 47 të tjera si trajner. E kemi fjalën për Rajmond Rashën, ish- basketbollistin dhe ish- trajnerin e njohur.


Karriera si sportist

Rajmond Rasha lindi në Shkodër më 02.05.1951. Ai kreu shkollën 7- vjeçare “11 Janari” dhe më pas studioi pranë gjimnazit të përgjithshëm “29 Nëntori” (sot “28 Nëntori”). Për arsye politike ai nuk u lejua të përfundojë studimet e larta, pasi I përkiste një familjeje të konsideruar “armike” nga sistemi I atëhershëm komunist.

Rasha ndërkohë u lidh pas sportit dhe zgjodhi basketbollin. Në moshën 15 – vjeçare, pra në vitin1966, u bë pjestar I ekipit të të rinjve të “Vllaznisë” dhe kishte rolin e organizatorit të skuadrës. Fillimisht kishte trajner Vehbi Ademin dhe më pas Bujar Golemin, ndërkohë që shokë të ekipit ishin emra të tillë si Dhimiter Taçi, Xhelal Kalaja, Skënder Belinovi, Zyhdi Vekshari etj.

Në vitin 1970, në moshën 19 vjeçare, Rasha u dërgua në Elbasan për të kryer shërbimin ushtarak. Gjatë tre viteve të shërbimit atje, ai u angazhua me “Labinotin”, ekipin e të rriturve të basketbollit të qytetit të Elbasanit, në rolin e organizatorit. “Labinoti” në atë periudhë kaloi nga një skuadër e kategorisë së dytë në kategorinë e parë, kjo falë edhe kontributit të dhënë nga shkodrani Rajmond Rasha, raporton shkodrasport.com

Pas tre viteve si lojtar I ekipit të “Labinotit”, u kthye në Shkodër dhe filloi të luajë me Vllazninë. Te gjithe e mbajne mend per ndeshjen e kupes se 50 vjetorit te basketbollit ne shkoder kur bashke me Mehdi Bajrin dhe Agim Halitin munden pese lojtare te Partizanit.

Por nuk do të luante shumë, vetëm tre vjet me të sepse në vitin 1976 do të detyrohet ta ndërpresë karrierën sportive. Atëherë kur ishte vetëm 25 vjeç. Arsyeja në fakt duket absurde sot, por këto ishin rregullat e atëhershme dhe që na I shpjegon vetë protagonist I këtij shkrimi në rrëfimin e tij për “Shkodra Sport” kur thotë:

“Federata në atë vit nxorri një rregull: Asnjë basketbollist nuk duhej të ishte poshtë gjatësisë 1.78 metra. Unë isha 1.75 dhe ato tre centimetra më penalizuan për të braktisur sportin tim të preferuar”. Gjatë viteve të karrierës së tij si sportist, Rajmond Rasha ka gëzuar bashkë me kolegë të tjerë disa fitore të rëndësishme ku Vllaznia, në rang kombëtar, është renditur vazhdimisht në tre vendet e para, citon shkodrasport.com


Karriera si trajner

Duke qenë I detyruar të linte sportin, trajneri I atëhershëm I ekipit të parë të Vllaznisë Renato Radoja I sugjeron që të mos largohej përfundimisht nga basketbolli, por të merrte drejtimin e ekipit të paratërinjve sepse trajneri I mëparshëm ishte larguar.

“Kur Radoja më propozoi që të nisja punë si trajner moshash, në fillim kundërshtova duke thënë se nuk dija ta bëja atë punë, por ai më mbushi mendjen se do ta mësoja rrugës. Dhe këtu nisi rrugëtimi im si trajner që në vitin 1976 dhe që do të përfundonte në vitin 2018, pra për plot 52 vite me rradhë”- thotë Rasha.

Pra Ishte viti 1976 kur Rajmondi filloi veprimtarinë e tij si trajner I ekipeve zinxhir të meshkujve, të klubit “Vllaznia” dhe atë e vazhdoi deri në vitin 1986. Gjatë periudhës kur ai ishte trajner basketbolli për djemtë, së bashku me kolegë të tjerë të nderuar si Frederik Bianku, Lorenc Mosi, Enver Hyseni, Asllan Gjyrezi, Zenel Vekshari etj, kontribuan në nxjerrjen e brezit të parë kampion kombëtar të basketbollit.

Pikërisht nga duart e Rashës dhe këtyre trajnerëve të tjerë kanë dalë emra si Andrea Plevneshi, Mikel Gjoni, Dardan Gjati, Ndoc Kllangjia, Stefan Çapaliku, Artan Xhindi, Adnan Kraja, Ledio Bjanku, Astrit Zaganjori, Altin Halili, Aleksander Gjoni e sa e sa të tjerë që kontribuan për Vllazninë.

Në vitin 1986, Rasha u caktua trajner I ekipit të paratërejave të basketbollit, punë që e bëri për dy vite me rradhë dhe në vitin 1988 e kalojnë si trajner tek ekipi I të rejave. Në vitin 1994 emërohet trajneri mbështetës I ekipit të parë të Vllaznisë dhe vazhdon punën deri në vitin 1997. Për shkak të situates ekonomiko – politiko – sociale, vitet më të vështira në punën e tij si trajner ishin 1997 – 2000, shkruan shkodrasport.com

Në këtë vit, trajnerja e parë Irini Mitku e cila kishte ndërtuar ekipin e të rejave, largohet familjarisht dhe drejtuesit e klubit I ofrojnë Rashës detyrën e trajnerit të ekipit të të rejave. Këtu fillon një punë me shumë përgjegjësi sepse ende situata në vend nuk ishte e mirë dhe vajzat nuk kishin shumë dëshirë të merreshin me sport. Megjithatë duke dalë shkollë më shkollë, ai arriti të grumbullojë rreth vetes disa vajza të talentuara me të cilat nisi një projekt të rëndësishëm.

Ekipi jo vetëm I rezistoi kohës, por Rasha falë ndihmës së pakursyer të mikut të tij, të ndjerit Bano Agovi, arriti të krijojë lidhje dhe mundësi bashkëpunimi për 15 vite radhazi me ekipin e basketbollit të vajzave të Hercegnovit, në Malin e Zi. Bashkëpunimi edhe me trajnerin e mirënjohur malazez Millan Daboviç bëri që gjatë këtyre viteve të zhvilloheshin shumë stërvitje e ndeshje miqësore dhe u përfitua një eksperiencë e praktikave më të mira në fushën e basketbollit.

Ndërkohë gjatë viteve 2003 – 2005, Rasha, si trajner i kategorisë së parë, mori detyrën e drejtuesit të ekipit kombëtar të vajzave të basketbollit U-18. Ndërsa një nga momentet më të rëndësishme të karrieres së këtij trajneri ka qenë padyshim fitorja e titullit kampion kombëtar të basketbollit për të reja në sezonin 2007- 2008.

Një kupë që kthehej në Shkodër pas plot 31 vitesh sepse hera e fundit që Vllaznia e të rejave ishte shpallur kampion ka qenë viti 1977 kur ekipi drejtohej nga trajneri Viktor Kçira (trajner i cili më pas me ekipin e të rriturave fitoi dhe Kupën e Republikës në vitin 1988).

Duke qenë se Vllaznia doli kampion me të rejat, doli si domosdoshmëri krijimi I ekipit të të rriturave dhe kjo ndodhi në sezonin 2009-2010 ku ekipi shkodran pas shumë vitesh mungesë u rikthye të merrte pjesë sërish në kampionatin e të rriturave, kjo falë punës së bërë nga trajneri Rajmond Rasha bashkë me kolegen e tij Aferdita Rakaj, shkruan shkodrasport.com

Paralel me ekipin e të rriturave, kjo dyshe trajnerësh krijoi edhe ekipin e paratërejave me bazë vajzat e shkollave “Branko Kadia” dhe “Xheladin Fishta” ku ishin mësues të edukimit fizik dhe këtë ekip e shpallën disa herë kampion.

Një tjetër kontribut I veçantë I Rajmond Rashës, është ndërtimi I një këndi muze në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, në Shkoder, me objekte dhe foto që paraqesin fragmente të ndryshme nga jeta sportive dhe contribute që breza të ndryshme të vajzave sportiste kanë bërë ndër vite si pjesmarrëse dhe ndonjëhere fituese të pozicioneve të ndryshme në kampionate kombëtare.

Rajmond Rasha, ka një karrierë të gjatë 52 vite në fushën e basketbollit. Ai ka zhvilluar aktivitetin e tij në kushte ekstremisht të vështira ekonomike e sociale. Me sakrifica të jashtëzakonshme, ai ka kontribuar në edukimin e brezave, në kultivimin e talenteve, që më pas kanë përfaqësuar Kombëtaren tone jashtë vendit. Rasha, mbi të gjitha,ka merita për mbajtjen në jetë të sportit të basketbollit në Shkodër, veçanërisht ekipit të vajzave. Me këto të fundit ka punuar plot 32 vite, si askush tjetër.

Mirënjohja e munguar

Një karrierë e gjatë e cila tashmë është mbyllur dhe kuptohet që është koha për të bërë edhe një bilanc të punës së bërë. “Jam shumë I kënaqur me atë çfarë kam arritur, për kontributin që kam dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve për basketbollin shkodran dhe atë shqiptar.

Mbi të gjitha, jam I lumtur për raportet e shkëlqyera që kam patur gjithmonë me djemtë dhe vajzat e reja dhe kuptohet që kam një nostalgji të madhe për brezat që kam kaluar nëpër duar”- thotë Rasha. Ndërkohë I pyetur se cila prej vajzave ka lënë më shumë breza tek ai, në fakt Rajmondi nuk dëshiron të evidentojë vetëm një apo dy por përmend disa.

“Kujtoj me nostalgji sportiste të tilla si Nensi Saraçi, Marinela Gaspri, Evis Drishti, debulesën time Ingrid Dashja, Eli Xhanaj, Enxhi Xhanaj, Eriola Nehani, apo dhe brezin e fundit me Medina Mustafa, Orjeta Basha, Edona Berranija, Alba Dashja etj. Do më mbesin gjatë në mendje për bashkëpunimin që kemi patur, për përkushtimin e tyre dhe atë çfarë kemi bërë sëbashku për basketbollin shkodran”- thotë në fund Rajmond Rasha.

E nëse ai ka mirënjohje e respekt për gjithë ato me të cilët ka punuar, me siguri që e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me të tjerët. Me institucionet përkatëse sepse ndoshta ka ardhur, për të mos thënë ka kaluar kohë, që të ketë një vlerësim edhe për të sepse 52 vite pa shkëputje për asnjë ditë nga sporti, vështirë të ketë kush tjetër./www.shkodrasport.com/