Shkruar nga Gjergj KOLA
Në sport, aktorët kryesorë padyshim që janë ata të cilët zbresin në fushat e blerta, në parketet e pallateve të sportit, në pistat e atletikës, në pedanat e peshëngritjes, në tapetet e mundjes, në ringun e boksit apo edhe në ambiente të tjera sportive.
Por ata nuk janë vetëm, sepse bashkëudhëtarë me ta janë edhe shumë të tjerë që bëjnë pjesë në stafin mbështetës dhe këtu hyjnë edhe pjesëtarët e stafit mjekësor. Sot do të ndalemi te njëri prej tyre, pikërisht ish-masazhatori i Vllaznisë, Ruzhdi Mesi.
Po ndalemi te kjo figurë sepse pikërisht sot ai feston 66-vjetorin e lindjes dhe, me këtë rast, në emër të Gazeta “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura.
Ruzhdi Mesi ka lindur më 22 korrik 1960 dhe gjysmën e jetës së tij e ka kaluar pranë futbollit shkodran. Ka filluar të punojë pranë Vllaznisë në vitin 1987, pikërisht në ndeshjet e Kupës UEFA ndaj ekipit maltez La Valletta, ndërsa e përfundoi këtë detyrë në maj të vitit 2018.
Gjatë këtyre 30 viteve ai ka përjetuar emocione të shumta, të shoqëruara edhe me fitimin e tre titujve kampionë, në vitet 1992, 1998 dhe 2001, të një Kupe të Shqipërisë në vitin 2008 dhe të një Superkupe në vitin 2001.
Kujtimet më të bukura për të padyshim që mbeten fitimi i titullit kampion në vitin 2001, pikërisht me ndeshjen e fundit në Shkodër dhe festën e madhe që pasoi në qytet, por edhe kualifikimi në turin e dytë të Ligës së Kampionëve të Europës po atë vit, si dhe përballjet me Gallatasarajn.
Traditën e tij po e vazhdon më së miri i biri, Redis Mesi, i cili për njëfarë periudhe ka qenë pjesë e stafit mjekësor të KF Vllaznia ndërsa tani po punon me studion e tij të fizioterapisë.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


