Altin Xhahysa një nga figurat e njohura të futbollit në Shkodër ka folur së fundmi për situatën tek Vllaznia. Ish-sulmuesi vuri theksin se tashmë vlen vetëm rezultati dhe se lojtarët duhet të jenë të karikuar për fundin e sezonit. Gjithashtu ai theksoi se fitorja kundër Kukësit mbrëmë ishte shumë e rëndësishme në aspektin psikologjik.

Xhahysa tha: “E shohim prej disa kohësh që Vllaznia po vuan në aspektin e lojës dhe rezultateve. Shoh që repartet janë shumë të shkëputur nga njëri-tjetri dhe prandaj çalon edhe loja. Por në këto momente nuk është e rëndësishme loja, por rezultatet. Është fundi i kampionatit ku kanë ngelur vetëm 3 ndeshje dhe finalja e kupës.

Vllaznia duhet të jetë cinike në maksimum dhe të synojë vetëm rezultatin. Lojtarët duhet të japin maksimumin e tyre në këto ndeshje, të harrojnë çdo problematikë gjatë sezonit dhe të përqendrohen ta mbyllin në mënyrën më të suksesshme.

Fitorja kundër Kukësit dhe sidomos në sekondat e fundit do i japë një ndihmë shumë të madhe. Sidomos në aspektin psikologjik pasi kemi parë një skuadër që vuante shumë për të arritur rezultatin”.
Endri ÇINARI