Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori një fitore spektakolare në ndeshjen e fundit të vitit 2023. Shkodranët mposhtën me shifrat 5-0 ekipin e Skënderbeut. Rezultat që nuk mendohej aspak para fillimit të takimit. Por kuqeblutë u treguan perfektë ndaj korçarëve, të cilët u dorëzuan pa kushte në “Loro Boriçi”.
Por përveç 3 pikëve që e mbyllën vitin në mënyrën më të mirë të mundshme, shkodranët vendosën një rekord këtë sezon. Kjo ishte fitorja më e thellë e arritur nga ndonjë skuadër deri më tani në këtë sezon të Superiores. Deri më tani rekordin për fitoren më të thellë e mbante ekipi i Egnatias.
Ku rrogozhinasit fituan 0-4 ndaj Kukësit në javën e dytë të Superiores. Ky rekord u thye mbrëmë nga shkodranët e drejtuar tashmë nga Qatip Osmani. Shifrat e thella po ashtu përmirësuan edhe golavarazhin e përgjithshëm të kuqebluve. Tashmë ekipi ka shënuar 23 gola dhe ka pësuar 19 të tillë. Në këtë mënyrë duke qenë 4+ në golavarazh.
Patjetër që tek ekipi, por edhe tifozeria shkodrane shpresojnë që këto performanca të vijojnë edhe në vitin 2024. Ku rekorde dhe fitore të tjera priten për ekipin e Vllaznisë. Që në fundin e vitit 2023 duket se janë futur në rrugën e duhur, pas uljeve dhe ngritjeve që kishin pasur që nga fillimi i sezonit.