Skuadra shkodrane në futboll për femra sonte ka humbur të parën ndeshje të turit të dytë të Champions League, atë që luajti në “Loro Boriçi” ndaj danezeve të Fortuna Hjorring.

Një 11-metërsh ndoshta edhe i diskutueshëm vendosi fatin e këtij takimi që u fitua nga miket me rezultatin e ngushtë 1-0. Duhet thënë se danezet kanë luajtur më mirë në këtë ndeshje duke treguar se jo më kot janë një ndër ekipet më të mira të Europës.

Ata kanë goditur edhe dy herë të tjera shtyllën e portës së Vllaznisë gjatë pjesës së parë. Por nga ana tjetër, vajzat kuqeblu kanë patur edhe ato rastet e tyre.

Protagonistja kryesore e tyre është sulmuesja amerikane Amanda Doyle. Ajo ka humbur tre raste të pastra goli dhe nëse të paktën në njërin prej tyre do kishte shënuar, do ishim duke folur ndryshe tani.

Të parin e pati në minutën e 16-të kur futet bukur në zonë, gjuan dhe topi përshëndet rrjetën duke zgjuar edhe ovavionet e tifozëve, por për fat të keq ishte vetëm rrjetë e jashtme.

Katër minuta më vonë pas një krosi të Doçit nga e majta, ajo ështe e lirë në zonë dhe godet me kokë por jo në shënjestër, sepse topi kalon mbi traversë.

Dhe rasti i tretë, ai që mërziti të gjithë ka qenë në minutën e 95-të, të fundit të shtesës. Pas një inkursioni personal, topi mbetet në zonën daneze, Doyle kalon edhe portieren dhe në përpjekje për ta gjuajtur sërish, ndërhyn më shpejt një mbrojtëse duke e larguar nga zona.

Keqardhje në shkallët e stadiumit. Vllaznia për fare pak, mund të kishte marrë qoftë edhe një barazim në këtë ndeshje dhe nëse do të ndodhte kështu, atëherë ajo do të udhëtonte me të tjera synime pas dy javësh në Danimarkë.
© shkodrasport.com