Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i ka cilësuar të drejta verdiktet e dhëna në fund të sezonit me Partizanin kampion dhe Egnatian fituese të Kupës. “Verdiktet përfundimtare të sezonit janë të drejta. Partizani dhe Tirana kanë rivalizuar deri në fund, pastaj vinte Egnatia, e cila triumfoi në Kupë. Verdiktet janë të drejta, pavarësisht polemikave të krijuara. Gjatë gjithë sezonit kishte luhatje, por kush gaboi në fund e pësoi”.

Finalja e Kupës – “Egnatia bëri një fazë të dytë shumë të mirë, edhe se u përforcua mirë, ka bërë lojëra të mira. Pavarësisht se në finalen e Kupës, Tirana ishte e cunguar, por në përgjithësi ishte një finalizim i bukur marrja e trofeut nga ana e Egnatias”.

Sezoni i bardhebluve – “Tirana në këtë sezon kishte problem, bëri një kampionat ku më shumë kishte pjekuri dhe eksperiencë. Mund ta merte kampionatin, por për një pakujdesi e humbi kampionatin, e humbi vetë në fund. Me Bylisin bëri një ndeshje shumë të çuditshme, nuk u mobilizua, humbi përqëndrimin. E kemi thënë edhe më parë që skuadra që është përpara e ka më të vështirë, ai që vjen nga pas është më i rrezikshëm. Partizani dhe Tirana kanë gabuar gjatë sezonit, por ai që gaboi në fund e pësoi”.

Ndeshja play off – “Erzeni dhe Korabi kanë bërë kampionate të mira, kanë bërë ndeshje me nivel. Por po ti shikosh të dyja skuadrat, ka diferenca. Korabi luante më shumë në mbrojtje, Erzeni ka më shumë cilësi”.

Nga kampionati tek Kombëtarja – “Të gjithë jemi në një mendje që këta janë emrat, pak a shumë, me ndonjë risi të vogël. Por unë mendoj se ky është grupi që trajneri do besojë për këto ndeshje dhe për të ardhmen. Duhet të pranojmë se trajneri akoma nuk e njeh ekipin, disavantazhi është që i kërkojmë rezultat. Mendoj se duhet ti jepet kohë. Është një trajner që punon me lojtarët nga afër, është i motivuar, ka energji, por i duhet dhënë kohë. Shumë sulmues në skuadër? Me skemën që luan Silvinjo, është në rregull”.