Futbolli ka dy rregulla të pandryshuar:

1) Të dënon nëse humb rastet që krijon dhe e pëson pikërisht atëherë kur nuk duhet.

2) Asnjë nuk është i gabueshëm, por gabimin e portierit e korrigjon vetëm rrjeta. Një nga mësimet e vlefshme që kam marrë në Koverçano nga një docent i taktikës italiane ka qenë: “Atje ku ka madhështi, ka edhe gabime të mëdha”. Ky është vlerësimi im për lojën e portierit tepër të talentuar, Strakosha…

NDESHJA

Ishte një takim me rëndësi të veçantë për ecurinë e mëtejshme për të dyja ekipet, që në fakt kishin objektiva të ndryshëm, ajo që vendosi nuk ishte as taktika dhe as niveli teknik, por zbatimi i mirë i detyrave, qëndrueshmëria karakteriale dhe fizike, pra funksionimi në nivelin psikologjik.

Për mendimin tim, ky faktor vendosi që ekipi ynë kombëtar luajti i bindur për atë që po bënte në fushën e lojës, duke vënë në shërbim të ekipit edhe vendosjen në fushë, edhe detyrat e veçanta e të përgjithshme dhe ajo që kishte më shumë rëndësi: lufta për topin e parë në çdo cep të fushës.

Një anë shumë pozitive e pasqyruar me vlerat më të mira në ndeshjen e djeshme, ishte që skuadra taktikisht veproi drejt, duke aplikuar presing në gjysmëfushën turke dhe ajo që bie në sy nga ana profesionale, presingu bëhej nga dy sulmuesit dhe katër mesfushorët. Kjo është një risi tepër e rëndësishme për futbollin e sotëm dhe një veprim i menduar e i përgatitur mirë nga trajneri Reja.

Ekipi pasqyroi stabilitet, ekuilibër e mbulim, duke mos lejuar as hapësira dhe as dyluftime të fituara. E vlerësoj këtë ndeshje pozitivisht dhe mendoj se parapërgatitja nga ana e trajnerit dhe stafit drejtues ishte mjaft e mirë në të gjitha aspektet, por sidomos në përbërjen e formacionit tonë dhe njohjes deri në detaje të lojës së turqve.

Aspekt tjetër që ra në sy ishte edhe fakti që trajneri kishte bërë punë të mirë moralo-psikologjike, duke e bindur ekipin që presioni do të ishte mbi turqit. Në këtë drejtim, ekipi ka shfrytëzuar në maksimum me lojën e tij një faktor të tillë mjaft të rëndësishëm.

MANAJ…

E di që shumëkush i përmend Manajt rastet e humbura. Me të drejtë, deri diku. Por, unë mendoj se Manaj, Cikalleshi dhe Memushaj, nëse harxhojnë energji të tepërta për të ndihmuar skuadrën në fazën mbrojtëse, pa dyshim që në aspektin sulmues ata do të kenë probleme serioze.

Do të kenë probleme pikërisht në metrat e fundit drejt portës kundërshtare, ashtu sikundër edhe u pa dje në rastin e Manajt. Ana fizike dhe psikologjike e tyre është në kulmin e lodhjes në ato minuta dhe të detyron të bësh gabime naive.