Nuk pashë asnjë ndryshim nga ndeshjet e tjera me skuadra të mëdha. Kjo me Francën vërtetoi se ndeshja me Andorrën nuk ishte një aksident. Dhe nuk i referohem vetëm rezultatit, por mungesës së konceptit të lojës. Ishte për të ardhur keq që skuadra shfaqet me kaq mungesë personaliteti të theksuar.

Kjo ndodh në shumicën e rasteve kur lojtarët nuk e kanë të qartë atë që duhet të bëjnë në fushë. Shqipëria në dy ndeshjet e fundit ka pësuar gola nga të gjitha format, me aksion dhe me goditje standarde. Lojtarët për fat të keq nuk arrijnë të shfaqin potencialin e tyre, por të mos na gënjejë mendja se ne kemi një grup shumë të mirë futbollistësh.

Jo, nuk mendoj se e kemi të tillë grupin, përkundër asaj që thotë trajneri Reja. Shqipëria ka një grup mesatar dhe një mungesë të theksuar të ideve dhe të fantazisë në lojë. Mungesë të theksuar koncepti loje në mbrojtje dhe në sulm. Për fat të keq, është sakrifikuar gjysma e këtij edicioni vetëm për të arritur një koncept loje, por Shqipëria e mbylli këtë fushatë kualifikuesesh ashtu siç e nisi: keq.

Të flasësh vetëm për skemën, është sipërfaqësore. Natyrisht, dikush mund të thotë se rezultati 0-2 kundër Francës është edhe i pranueshëm. Ndoshta, por po ju them se 30 vite më parë, Franca na mundte këtu 0-1. Ku është progresi? Franca ka qenë gjithnjë në piedestalin e futbollit botëror, sepse tani ka Mbapenë, por atëherë kishte Bolinë, Papenin etj…

Ajo që më shqetëson është se kemi bërë hapa pas sa i përket lojës. Luajmë një futboll të dalë jashtë mode, me lojtarë që e mbajnë topin shumë në këmbë dhe që përpiqen të bëjnë gjithçka në mënyrë individuale. Nuk ka shpejtësi dhe saktësi nga krahët, nuk ka vertikalizime të mira nga qendra dhe nuk mbrojmë as të organizuar.

Nuk mundet të luash në 2019-ën kështu. Mund ta humbësh një ndeshje, ndoshta edhe më thellë kundër kampionëve të botës, por në fund ke respektuar filozofinë tënde. Ne nuk kemi një mënyrë loje sot. Kemi thjesht futbollistë që përpiqen të vrapojnë të mbajnë sa më shumë topin në këmbë dhe kur afrohen te zona janë të paqartë./panorama-sport/