Pas dy ditëve pushim, Vllaznia i është rikthyer procesit stërvitor duke nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës, atë me Pogradecin e vlefshme për Kupën e Shqipërisë që do të luhet të mërkurën e adhshme në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në këtë seancë ka qenë i pranishëm edhe mbrojtësi malazez Bulatoviç që tashmë i ka lënë pas dëmtimet që e kanë shqetësuar prej dy muajsh dhe do të jetë i gatshëm për stafin teknik. Por ndërkohë, mësohet se pas stërvitjes, ekipi ka zhvilluar edhe analizën teknike të ndeshjes së fundit, asaj me Egnatian.

Në këtë analizë ka marrë pjesë edhe presidenti Xhaferi dhe mësohet se stafi teknik është ndalur gjatë me futbollistët për të nxjerrë shkaqet e gjendjes jo të mirë të skuadrës. Të gjithë janë të vetëdijshëm se mundësitë e këtij ekipi janë për të bërë shumë më mirë, por nga ana tjetër, vetë lojtarët kanë dhënë garancinë se kthesa do të vijë shumë shpejt.

Ekipi shkodran ndërkohë duhet të shfrytëzojë edhe kalendarin e favorshëm që ka në dispozicion për ndeshjet e ardhshme. Përfshi këtu edhe ndeshjen e Kupës ndaj Pogradecit, brenda 1 muaji, Vllaznia nga 6 ndeshjet që ka në kalendar, 5 prej tyre do t’i luajë në Shkodër.

Ky padyshim që është një plus i madh sepse duke luajtur në shtëpi dhe me ndihmën e tifozëve, mund të vijnë edhe rezultatet pozitive. Të gjithë në Shkodër dhe Shqipëri janë të bindur se mundësitë e kësaj Vllaznie janë shumë më të mëdha nga sa ka dhënë deri tani dhe thjesht i duhet një moment për të filluar ngjitjen, moment që mund të vijë shumë shpejt.