Nuk e dua Shqipërinë o vëlla, tani kemi kombëtaren tonë”, do të ishin fjalët e dala prej komentatorit të njohur Andin Lokaj, duke ngjallur kështu jo pak polemika. Por pasi shfaqi hapur mospëlqimin e tij për kuqezinjtë, tashmë gazetari shqiptar sulmon edhe “Supersportin”.

Arsyeja është pyetja e tyre e adresuar për futbollistin Hasani, ku kishte kureshtje nëse do të festontë në rast shënimi në ndeshjen që Maqedonia e Veriut do të luajë kundër Kosovës.

Sipas asaj që raporton “Periskopi“, Lokaj pretendon se pyetje të tilla nxisin patriotizëm dhe i quan primitive, ndërsa nuk ngurron të fyejë edhe median në fjalë, megjithëse nuk dihet nëse mund të ketë edhe interesa personale në këtë mes.

Ndërkohë reagimin e tij e mbyll me hipotezën se në Shqipëri ekziston një zili për kosovarët, ndërsa bën thirrje që futbollistët që duhet të veshin fanellën e dardanëve të ndihen 100% kosovar, megjithëse një term i tillë konsiderohej edhe fyes nga shqiptarët e Kosovës më parë.

“Ne jemi profesionistë dhe ajo është vetëm një lojë futbolli. Ne presim prej kohësh të kualifikohemi në Europian. Gazetarët në Shqipëri, nëse mund tu thuhet ashtu, i ngarkojnë futbollistët me pyetje patriotike pasi e kanë instaluar patriotizmin folklorik brenda profesionit që s’ka lidhje me atë punë.

Kjo nuk është hera e parë që bëjnë këto lloj pytjesh primitive, një medium shminkë i ka bërë keto lloj pytjesh edhe futbollistëve tanë, por shumica prej tyre i kanë ikur ngase janë intelegjent.

Për Kosovën dhe futbollistët e saj në të ardhmen nuk do të duhet të vlente më filozofia e atyre përtej kufirit, të cilët na shohin me zili në thellësinë e mendimeve të tyre. Kështu që fanellën e Kosovës duhet ta veshin në të ardhmen vetëm ata që ndihen 100% Kosovar”, ka thënë Andin Lokaj./Sport Ekspres/