Kampionati anglez është gati me një plan të qartë për të rifilluar aktivitetin në muajin qershor dhe drejtuesit e klubeve duan që të mos shkëputen nga tifozët e tyre, edhe pse do të luhet në stadium të boshatisura. Propozimi më i fundit është që ndeshjet, ose të paktën disa prej tyre, të shfaqen vazhdimisht falas në YouTube.

Klubet kane zhvilluar diskutime të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit për të qenë dakord se si do të jetë vijimi i këtij sezoni të çuditshëm dhe një nga temat më të diskutuara është pikërisht ajo e shfaqjes së ndeshjeve falas për tifozët e tyre në një periudhë të ngjeshur pasi plani parashikon që gjithçka të mbyllet brenda 7 javësh.

“The Sun” bëri të ditur se Sky Sports dhe BT Sport që kanë blerë të drejtat televizive do të transmetojnë një pjesë të ndeshjeve, ndërsa ndeshjet e mbetura e ndoshta disa nga përballjet kryesore të kampionatit në këto javë, do të përfundojnë duke u shfaqur falas në YouTube duke bërë të mundur që çdo sfidë e mbetur nga sezoni të jetë LIVE për tifozët.

Hera e fundit që një ndeshje e Premier Ligës është shfazur falas ishte në javën e pare të sezonit 2013-2014, kur Mançester Junajtid-Suonsi dhe Kristal Palas-Arsenal u transmetuan falas nga dy kanalet me pagesë. /vipsport/