Ansi Nika është largimi i radhës nga Flamurtari. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Nika sqaron se ka kërkuar vetë të largohet dhe nuk ka qenë klubi që e ka larguar.

Shkodrani zbulon se e ka kërkuar largimin që një muaj përpara për shkak se thotë se në klub nuk ka funksionuar gjë. Shkodrani thekson se drejtuesit nuk kanë dhënë siguri. Nika do ta vijojë tashmë aventurën në Kosovë.

ANSI NIKA
“Më kanë nxjerrë në listë sikur më ka hequr klubi. Nuk është e vërtetë. Unë kam ikur vetë, me dëshirën time. Kam kërkuar largimin, pasi aty nuk shkonte dhe nuk funksiononte asgjë. Madje nuk ka funksionuar qysh në fazën e parë. Kam kërkuar largimin që para një muaji. Duke parë që gjërat po përkeqësoheshin edhe më shumë dhe vendosa të largohem.

Drejtuesit nuk na dhanë siguri. Madje, them se as trajneri i ri Troisi nuk ka për të bërë gjë. U ndava me mirëkuptim. Tani po shoh në Kosovë një aventurë të re. Është duke punuar menaxheri dhe mbyllet shumë shpejt. Shpresoj që Flamurtari të shpëtojë dhe të qëndrojë në kategori. I uroj suksese”, shprehet fillimisht Nika.

PAGAT

Ansi Nika ka falur pagat. Shkodrani deklaron se nuk donte t’i shtonte edhe më shumë probleme Flamurtarit dhe mori vendimin për t’i falur tri pagat, ndërsa nuk do t’i drejtohet gjyqit. “Duke qenë se Flamurtari ishte në krizë, vendosa që t’ia fal të gjitha pagat.

Nuk doja të shkoja në gjyq me Flamurtarin që t’i hapja probleme edhe më shumë dhe nuk doja ta mbyllja keq. Kështu që i fala tri paga. Jam larguar me mirëkuptim nga Flamurtari”, përfundon Nika