Marash Kumbulla është një nga emrat më të përfolur të merkatos evropiane. Ylli i kombëtares sonë ka arritur të lërë mbresa të mëdha me Hellas Veronën, duke u shndërruar në një nga mbrojtësit më premtues. Gjigantë italianë si Inter, Napoli dhe Lacio janë klubet që po këmbëngulin më shumë.

Mediet përtej Adriatikut raportojnë se klubi nga Milano është më afër 19-vjeçarit. Gjithsesi, është “Daily Star”, që prish qetësinë e Marotës kur deklaron se Junajtid ka gati ofertën zyrtare në drejtim të Hellas Veronës.

Plot 15 milionë euro ofron Solskjaer për të bërë të tijin shqiptarin. Kjo shifër do të përbënte një rekord për vendin tonë si lojtari i shitur më shtrenjtë në histori. Verona kërkon 20 milionë euro për talentin dhe oferta e anglezëve i afrohet më shumë pretendimeve të tyre deri tani.

Kumbulla është titullar i padiskutueshëm në skuadrën e tij dhe ka arritur të tregojë qetësi dhe siguri të frikshme në raport me vitet që mban mbi supe. Ai numëron 11 ndeshje në Serie A, të gjitha si titullar, ku ka arritur të shënojë edhe një gol./vipsort/