Vllaznia do të luajë të dielën ndaj Kukësit ndoshta shansin e fundit për të mbajtur gjallë shpresat e titullit, me një ndihmë të mundshme që mund të vijë nga dy skuadrat e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani, që kanë dy ndeshje mjaft të vështira, përkatësisht ndaj Egnatias dhe Laçit. Skuadra e trajnerit Goçe Sedloski ka ndryshuar sjellje në fushë, ç’ka u pa edhe me atë fitore 3-1 ndaj Erzenit.

Për sa i përket përgatitjeve në seancat stërvitore për ndeshjen ndaj Kukësit që do të luhet të dielën, Vllaznia ka vijuar edhe sot punën, duke u stërvitur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Për këtë ndeshje, mungesat do të jenë të mëdha, pasi nuk do të jenë me ekipin kapiteni Erdenis Gurishta dhe Esin Hakaj, që të dy për shkak kartonësh.

Ndërkohë, Geralb Smajli është rikuperuar nga dëmtimi dhe gjasat janë se do ta nisë nga fillimi në Kukës në krahun e djathtë të mbrojtjes në vend të kapitenit Gurishta. Nga ana tjetër, në krahun e majtë të mbrojtjes pritet të spostohet Bulatoviç, për t’i bërë vend në qendër Dajan Shehit.

Megjithatë, mbetet për t’u parë ditën e nesërme në seancën e fundit stërvitore që Vllaznia do të ketë se kush do të jetë 11-shja startuese e trajnerit maqedonas Goçe Sedloski.
Maringlen ZHIVANI