Atletët e Vllaznisë kanë dominuar në disiplinat e tyre të zakonshme, ato të garave të shpejtësisë dhe kërcimeve. Kështu, vlen për t’u përmendur rezultati i atletit Erdi Duka që në garën e kërcimit së gjati ka kërcyer 6.72-metra, duke marrë vendin e pare në këtë disiplinë.

Kryetrajneri i ekipit shkodran, Albert Marashi, në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport” e ka vlerësuar shumë këtë sukses, por nga ana tjetër bëri të ditur se do të pasohen nga të tjerë në vijim. Marashi u shpreh se i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë promovimit të atletëve të rinj, ndërsa theksoi faktin se rezultatet janë mjaft premtuese për aktivitet e ardhshme.

“Atëherë zhvilluam aktivitetin e rradhës në atletikë siç ishte i parashikuar, pra kampionati kombëtar i moshave U-18. Të gjithë trajnerët ishin përgatitur për këtë aktivitet, siç janë Bruno Rrotani, Dor Tafa dhe Jetmir Jahaj që të paraqiteshim sa më mirë në këtë aktivitet, duke i kushtuar rëndësi si një promovim i atletëve të rinj që nesër do të jenë edhe kontribues në ekipet e të rriturve.

Më kënaq fakti se në rezultatet e arritura janë sportistë që në ato disiplina që ne kemi pasur më shumë, garat e sprinteve dhe garat e kërcimeve, ku kanë pasur rezultate në përmirësim dhe rezultate premtuese për aktivitetet e rradhës.

Atëherë, ato që spikatën dua t’i theksoj dhe ato janë Erdi Duka, në kërcim së gjati, që bëri një paraqitje shumë të mirë, duke zënë vendin e parë me një rezultat premtues. Rezultatet e tjera u arritën nga Sindrit Kopliku, në garën e 400-metrave me pengesa, që mori vendin e parë me një rezultat premtues që shumë shpejt do jetë edhe kontigjent për ekipin e parë të të rriturve, por edhe të tjerë atletë që premtojnë shumë si Cungu, Cepi dhe Spathari. Të gjithë këto bëjnë të mundur që të krijohet vazhdimësia me ekipet zinxhirë që nesër të jenë kontigjent i mirë për ekipin e të rriturve.

Unë shpresoj dhe besoj shumë që sukseset do jenë në vazhdim për Vllazninë. Këtë e bazoj edhe në faktin që punohet fort me ekipet e moshave. Këtë e tregon edhe fakti që këtu me ne në këtë pistë stërviten edhe rreth 70-atletë të vegjël. Kështu që, duke punuar mirë me moshat, do kemi edhe suksese në vitet në vazhdim.

Mosha 14 deri në 16-vjeç është mosha e orientimit sportiv. Nuk është se kërkohen rezultatet, por thjesht të merret orientimi sportiv, që nesër ose pasnesër të kenë rezultate me ekipin e Vllaznisë dhe ta përfaqësojnë denjësisht, si në aktivitetet kombëtare, ashtu edhe në ato ndërkombëtare.

Atëherë, ne patëm marrë masat që ky aktivitet të shkojë më së miri, duke qenë se zhvillohej në Shkodër, në bashkëpunim me FSHA, me Bashkinë Shkodër dhe me përgjegjës të stadiumit “Loro Boriçi” që çdo gjë të shkojë më së miri në të gjitha garat dhe të plotësohen të gjitha kushtet, që atletët të bëjnë gara sa më të mira, sepse kushtet janë shumë të mira”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë në atletikë, Albert Marashi.
Maringlen ZHIVANI