Antonio Marku është një nga lojtarët që ka spikatur me grintën dhe luftën sportive në karrierën e tij. Shkodrani që tashmë luan në Kosovë me Vëllaznimin ka folur së fundmi për edhe për Vllazninë e tij. Mbrojtësi u shpreh se ekipi i pëlqen momentalisht, por ka vetëm një “peng” si për atë dhe të gjithë në qytet, fitimin e titullit kampion.

Marku tha: “Ndeshja e parë për Vllazninë do jetë pas 5 ditësh kundër Tiranës për Superkupë. Besoj se më tepër një ndeshje e tillë shërben për moral për futbollistët pavarësisht se kundërshtar është Tirana. Ku ende emocionohem nga ajo ndeshje në “Loro Boriçi” që u mbyll 0-0 ndaj tyre.

Ishte sezoni ku rrezikuam të binim nga kategoria, por ia dolëm mbanë në fund. Për t’u kthyer tek Superkupa, është një trofe që nuk ka shumë vlera realisht. Besoj si fitimi apo jo i saj nuk do ndikojë tek ekipi i Vllaznisë.

Atë çfarë dua unë si ish-futbollist i Vllaznisë, tifoz dhe qytetar i Shkodrës është titulli kampion. Ai ende është një “peng” në këto vite ku ekipi ka fituar 2 herë kupën e Shqipërisë. Tani besoj se është rradha edhe për trofeun më të rëndësishëm.

E ardhmja? Nuk mund të jap një përgjigje konkrete tani. Jam në Kosovë tek Vllaznimi prej 3 vitesh, ku kanë qenë vite të mrekullueshme për mua dhe që i vlerësoj shumë.

Këto ditë do vendosë nëse do vijoj apo jo në Gjakovë. Pasi do shqyrtoj ofertën e klubit dhe nëse është një ofertë që më kënaq si personalisht ashtu edhe sportivisht patjetër që do jetë në konsideratën time”.
Endri ÇINARI