Vllaznia e femrave sivjet ka arritur një rezultat historik, kualifikimin në 32 ekipet më të mira të Europës. Por jo vetëm kaq. Edhe në turin e dytë, ajo ka rivalizuar me shumë dinjitet ndaj danezeve të Fortunës dhe me pak fat edhe mund të kishte kaluar më tej.

Por për presidentin e këtij ekipi Lazer Matija, nga ky ekip nuk mund të marrësh më shumë. Për më tepër, infrastruktura rreth tij dhe fakti që është i vetëm në gjithë këtë rrugëtim, e bëjnë të pamundur ëndrrën për të shkuar edhe më tej.

Në një prononcim gjatë emisionit “Sport shoë” në TV1 Channel, Matija ka bërë thirrje për mbështetje sepse i vetëm nuk mund të bëjë më shumë për të rivalizuar në Europë.

“E ardhmja e ekipit të Vllaznisë është e sigurtë besoj unë sepse ky ekip nuk ka marrë asgjë rastësisht, nuk ka vjedhur gjë asnjëherë por veç çfarë e kanë vjedhur dhe kemi heshtur, madje na ka bërë të punojmë edhe më shumë.

Kur them që e ardhmja është e sigurtë nisem nga fakti se mosha e tyre nuk i kalon 22-23 vjeçe, gjë që të jep garancinë për të vijuar punën me to në të ardhmen. Përpos tyre po punohet jashtëzakonisht mirë me grupin e vajzave të vogla të cilat janë në numër të konsiderueshëm dhe përditë po shtohen në stërvitje.

Po bëjmë më të mirën e mundshme me kushtet aktuale ku jemi. Të mos harrojmë se në botë futbolli i femrave ka mbështetje maksimale dhe meqenëse Shqipëria nuk është e shkëputur nga bota dhe duhet të ndjekë shembullin e vendeve të tjera.

Shkodra ka fatin e mirë që ka këtë ekip kampion në gjirin e saj, është privilegj që e kemi por duhet punuar shumë që ta mbajmë në këto nivele dhe ta ngjisim edhe më lart sepse një person kurrë nuk mjafton për të bërë diçka të mirë.

Futbolli në veçanti dhe sporti në përgjithësi kërkojnë shumë njerëz afër sepse vetëm kështu mund të matemi si të barabartë me Europën”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com