Arbër Shytani, trajner i Djelmnia Shkodrane i ftuar së fundmi në Star Sport ka komentuar për javën e katërt të Superiores. Patjetër ai është ndalur tek Vllaznia dhe disfata e fundit e shkodranëve. Ish-mbrojtësi vuri theksin tek apatia që patën kuqeblutë. Dhe se skuadra duhet të reagojë që në ndeshjen e rradhës kundër Kastriotit.

Shytani tha: “Ishte një ndeshje kundër Egnatias ku Vllaznia nuk tregoi asgjë. Ndeshjet humben, por mënyra se si erdhi të lë shije të hidhur. Historikisht në stilin e Vllaznisë edhe nëse skuadra ka pësuar gola, ka shfaqur futboll sulmues dhe ka krijuar raste në portat kundërshtare. Por kësaj rradhe kundër Egnatias nuk mund të veçoj asnjë rast të rrezikshëm.

Them se edhe lojtarë si Jonuzi apo Heriç nuk përshtaten me atë çfarë kërkon Vllaznia. Kjo pasi nuk depërtojnë në zonat kundërshtare me vertikalizime apo shpërthime. E po ashtu nuk është se kanë ndonjë marrëdhënie të mirë me golin pasi shënojnë shumë rrallë.

Të rinjtë e aktivizuar ? Për ta është pozitive minutat që marrin, por sa vlejnë. Sepse këta djemë u hodhën në fushë në një moment ku ndeshja ishte e përfunduar. Mendoj se një futbollist i ri fitohet kur ambienti është i shëndoshë dhe gëzon rezultate e vazhdimësi. Kjo pasi edhe një gabim të një të riu mund ta korigjojë dikush me më tepër eksperiencë.

Ndeshja e rradhës ? Them se Kastrioti pavarësisht se i ka nxjerrë shumë punë Vllaznisë në të shkuarën, është kundërshtari i duhur në këtë javë. Kjo për të bërë një kthesë të madhe dhe të marrë një fitore. Ndoshta edhe për të shkuar disi më të qetë në pushimet që do vijnë nga kombëtaret”.

Endri ÇINARI