Pasditen e nesërme, në kuadrin e javës së katërt të kategorisë së parë, në Peshkopi do të luhet ndeshja në mes ekipit vendas të Korabit dhe Vllaznisë B. Kjo e fundit nuk e ka nisur ashtu si duhet kampionatin edhe për faktin se kalendari nuk ka qenë aspak i favorshëm për të.

Në të parën ka luajtur në Rrogozhinë me Egnatian me të cilën ka humbur 1-0, në të dytën ka barazuar 1-1 në Pukë me Tërbunin dhe në të tretën ka humbur 0-1 në Shkodër me Kastriotin. Këtë javë sërish në transfertë dhe madje shumë të vështirë si ajo e Peshkopisë megjithatë kapiteni i kuqebluve Arenc Dibra ka mendimin se “Vllaznia B” do të bëjë një ndeshje të mirë dhe për rrjedhojë do të kërkojë rezultat pozitiv në këtë takim. “Vështirësia e ndeshjes është e madhe sepse Korabi dihet për përvojën që ka në këtë kategori dhe për më tepër luan në fushën e vet megjithatë ne do të tentojmë të marrim pikë dhe jam i bindur se mund t’ia dalim”- ka thënë ai.

© shkodrasport.com