Argjentina është finalistja e parë e Kupës së Botës, Katar 2022. Djemtë e Scalonit kanë mposhtur 3-0 Kroacinë në gjysmëfinale dhe falë këtij suksesi kanë siguruar një vend në finalen e madhe të Botërorit. I zakonshmi Messi dhe Alvarez janë ata që shënojnë golat e skuadrës argjentinase.
Mungojnë emocionet dhe rastet për shënim në 30 minutat e para të sfidës. Livakovic pengon Alvarez në zonë dhe gjyqtari Orsato jep penallti. Messi nuk gabon nga pika e bardhë, zhbllokon ndeshjen dhe shënon golin e 5-të në Katar dhe të 11-in në Botërore.
Pak minuta më vonë është Alvarez ai që shënon një gol shumë të bukur dhe kalon në avantazh të dyfishtë Argjentinën.
Kroacia mundohet të reagojë në pjesën e dytë, por është sërish Messi ai që I afrohet golit. Kapiteni I Argjentinës dhuron spektakël në zonën kroate dhe jep një asist për Alvarez, që shënon golin e dytë personal dhe të tretin për Argjentinën.
Kroacia mundohet të shënojë golin e nderit në minutat e mbetura, por rezultati I sfidës mbetet I pandryshuar deri në fund. Argjentina shkon në finale dhe pret fituesin e sfidës Francë-Marok, ndërsa udhëtimi i Kroacisë në Katar përfundon në gjysmëfinale. /Oversport/