Me golin e shënuar ndaj Erzenit të dielën i ka dhënë tre pikë shumë të vlefshme Vllaznisë B.

Ari Djepaxhia në këtë mënyrë rikthehet të jetë protagonist në fushën e lojës. Ashtu siç pat filluar ta bëjë edhe vite më parë por kjo gjë iu ndërpre në mes.

Në sezonin 2009-2010 në krye të skuadrës së Vllaznisë ishte malazezi Mojash Radonjiç. Një teknicien që i pëlqente shumë puna me të rinjtë.

Për rrjedhojë, ai ofroi në ekipin e parë dy futbollistë të rinj shumë të talentuar: Armando Vajushin dhe Ari Djepaxhinë.

Njëri luante në të djathtë të mesfushës, tjetri në të majtë. Me shpejtësinë e tyre, ata ishin një shqetësim i vazhdueshëm për kundërshtarin.

Por nëse për të parin karriera vazhdoi ashtu si duhet, për të dytin jo. Djepaxhia u dëmtua që në minutat e para të një ndeshje ndaj Dinamos që po luhej në “Loro Boriçi” dhe që atëherë “nuk e mori më veten”.

Dëmtime të njëpasnjëshme i prishën karrierën dhe ndonëse arriti të luante në periudha të ndryshme edhe me Partizanin, Adën, Veleçikun e Besëlidhjen, ai asnjëherë nuk u ngjit më në nivele të larta.

Por prej dy sezonesh me Vllazninë B, duket se po vijnë ditë të mira për 26 vjeçarin. Ai ka filluar të shndërrohet sërish në protagonist si me lojën po ashtu edhe me golat që shënon.

Megjithatë ka ende për të dhënë. Ari Djepaxhia ka treguar se mund të shndërrohet në protagonist edhe në nivele të larta dhe duhet të presim të shndërrohet sërish në një të tillë.
© shkodrasport.com