Armando Broja është ‘heroi’ i dy ndeshjeve të fundit të Kombëtares sonë, sidomos në ndeshjen me Hungarinë, ku shënoi edhe golin e fitores në minutat e fundit, por edhe ndaj San Marinos më pas, ku dhuroi gola dhe assist për kuqezinjtë. Po kush është shtatlarti 20-vjeçar i sulmit kuqezi? Mësojeni në intervistën që ai ka dhënë për “Top Channel”.

“Unë jam lindur në Angli, pak larg Londrës, së bashku me dy motrat e mia. Por familja ime, mami dhe babi, kanë lindur në Koplik, ne jemi malësorë”.

Si i lindur atje dhe i rritur suksesshëm në akademinë e Chelsea, a keni patur oferta për të luajtur me Anglinë?

“Përpara një viti e ca, kur do të luaja për Kombëtaren e Shqipërisë, më kërkoi përfaqësuesja e Anglisë U21. Por unë zgjodha Shqipërinë, për veten, por edhe për babin edhe mamin”.

Gjatë merkatos së verës, i rikthyer nga Vitese e kampionatit holandez ku ishte huazuar, Broja rikthehet te Chelsea, ku trajneri Tuchel kërkoi me ngulm që të qëndronte.

“Ai më tha mua, të kam shumë qejf, je shumë lojtarë i mirë, je luftarak, punon fort dhe prandaj të kam qejf se mbi të gjitha je shumë i ri. Këtu mundesh të mësosh nga Lukaku dhe Werner, që janë sulmues shumë të mirë. Por unë mora vendimin që të ikja, është gjë shumë e mirë që Southamptoni më kërkoi me ngulm. Për mua është shumë mirë që të fitoj eksperiencë dhe minuta”.

Ndërkohë, në prag të ndeshjes në Budapest, të gjithëve i kujtohet ai gol që shënove ndaj Hungarisë, vërtet na dha fitoren, por ama mes shumë dirthërimash.

“Ka qenë gol shumë i vështirë. Pas ndeshjes, kur pashë videon, vura re edhe Uzunin, por në atë moment në lojë, nuk e kisha parë. Kam qenë duke tribluar, i ika mbrojtësit dhe gjuajta në portë. Këto janë gjëra që ndodhin shumë shpejtë, ajo gjuajte hyri gol dhe më ndihmoi Zoti aty”.


Po për ndeshjen në Budapest?

“Ata kanë lojtarë të mirë, kanë edhe kualitete, por edhe ne kemi një skuadër shumë të mirë. Këtu në Shqipëri ne luajtëm mirë, por na mungoi goli, ai gol që erdhi në fund me pak fat dhe me ndihmën e Zotit morëm 3 pikë. Por atje ka për të qenë e vështirë, nuk do të kenë as tifozët, por për ne është rëndësishme me fitu 3 pikët, vetëm kjo na duhet 3 pikët”.