Zhgënjimin për humbjen e ka të vështirë ta fshehë. Armando Cungu, trajneri i Laçit, tregohet i sinqertë pas ndeshjes me Partizanin dhe thekson se nuk e meritonte skuadra e tij të dilte pa pikë nga fusha e blertë. Gjithsesi në fund zero pikë dhe rivalët për Europë që janë afruar me bardhezinjtë e vendit të tretë.

“Normalisht jam i mërzitur, nuk ka humbje të gëzueshme. Ka të hidhura dhe shumë të hidhura. Kjo me Partizanin ishte shumë e hidhur. Thjesht kundërshtari përfitoi nga një gabim i yni, nga një mungesë përqendrimi. Nuk është se ishte ndonjë aksion i ndërtuar nga kundërshtari.

I dhuruam tre pikë kundërshtarit. Pjesa tjetër e lojës foli për ne. Kishim mundësi të shënonim në pjesën e parë, e sidomos në të dytën. Nuk kishim qetësinë e duhur për ta zgjidhur si duhet. Për këtë arsye keqardhja është jo e vogël”, tha Cungu fillimisht për Abcnews.al.

Në fushë nga fillimi ishte edhe autori i 17 golave ne Superiore, sulmuesi Kyrian Nwabueze. Cungu shpjegon edhe vendimin për ta lënë në fushë deri në fund sulmuesin kryesor të skuadrës: “Nwabueze është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, ka kontribuar maksimalisht për ekipin dhe vinte pas një periudhe jo të vogël pushimi.

Kjo për shkak të një dëmtimi. Sidoqoftë kishte nevojë të ishte prezent në ekip, edhe si figurë. Gjithashtu i duheshin edhe minuta. Në përgjithësi besoj se punoi mirë për ekipin. Gjithsesi nuk e kishim problem aty. E thashë më përpara, për atë që dhamë në fushë e meritonim një pikë”.

Sot Teuta mund të marrë vendin e parë nëse fiton në Shkodër, por te Laçi nuk kanë ndërmend të dorëzohen për objektivin Europë. “Do shohim përpara. Janë edhe pesë javë, do bëjmë maksimumin për të grumbulluar pikët e duhura qe të jemi në Europë. Ky është objektivi ynë. Mundësitë janë reale, megjithatë të vjen keq që Laçi duhet të luftojë dhe të mësohet me situata të tilla, me kundërshtarë të tillë.

Duhet të dijë si të sillet dhe të marrë pikët, pasi u bë e disata ndeshje që me ekipet e kryeqytetit gabojmë dhe i dhurojmë pikë kundërshtarit. Deri në këto momente, e them me sinqeritetin më të madh, nuk kam parë asnjë ekip në kampionatin shqiptar që e ka mundur Laçin me futboll. Kemi dhuruar shumë, kemi bërë disa gabime”, shtoi Cungu.

Mungesa e eksperiencës ka ndikimin e vet në paraqitjes e Laçit dhe Cungu e komenton kështu: “E thashë edhe më parë, Laçi ka nevojë për t’u pjekur edhe më tepër, për të ditur të përballojë sfida dhe momente të tilla. Kjo është ajo që i mungon Laçit. Kështu rritet edhe individi, personaliteti, grupi.

Mund të tentojnë edhe nivele të larta, pasi ndoshta është hera e parë që Laçi është në nivele të tilla, në vendin e tretë prej javësh. Nuk është pak kjo. Në përgjithësi duhet të jem i kënaqur me kampionatin, por ndeshje të tilla nuk më lënë shenjë të mirë”.

Dy ndeshjet e radhës për Laçin janë ato kundër Flamurtarit dhe Luftëtarit të rënë nga kategoria. Cungu gjithsesi kërkon vlerësim maksimal: “Mendoj që duhet shumë kujdes. Me ekipe të tilla që nuk kanë asnjë objektiv, që nuk kanë asnjë kërkesë llogarie, që nuk u bën përshtypje humbja dhe luajnë lirshëm futboll, mund të bëhet e vështirë për t’i mundur. Aq më tepër që luajmë në fushën tonë dhe duhet të jemi të përqendruar edhe më shumë se me Partizanin, në mënyrë që të marrim pikët maksimale”. /abcnews.al/