Ish-trajneri i Kukësit, Laçit dhe Vllaznisë, Armando Cungu është i ftuar në emisionin “Fair-Play” në News 24.

Cungu foli për takimin e sotëm, Kamza-Kukësi 0-1, por edhe për dënimin e Skënderbeut nga UEFA.

“Kukësi po tregon se me ardhjen e trajnerit Pakult, është një ekip i ekuilibruar, sakrifikon dhe di të mbajë presionin e kundërshtarit.

Sot fitoi kundër Kamzës, por vuajti shumë. Kishte mungesën e Gurit, që është një mungesë e madhe për Kukësin. Në këtë moment që është kampionati, çdo pikë është e rëndësishme.

Rivaliteti për vendin e dytë? Partizani është afër Kukësit, ashtu si Laçi dhe Luftëtari. Flamurtari pati një ecuri pozitive, por së fundmi nuk po tregon atë formë që tregoi më parë.

Nuk mendoj se e kompromenton garën, dënimi i Skënderbeut. Kjo pasi mund të jetë një mundësi për një ekip tjetër që të marrë pjesë në Europë. Secili ka garën e vet.

Edhe vendi i 5-të i Superligës, pretendon të hyjë në Europë përmes formulës së Kupës”, tha Armando Cungu.

E ARDHMJA– “Me presidentin Gjici kam marrëdhënie korrekte. Unë u largova me mirëkuptim nga Kukësi. A mund të rikthehem te Kukësi? Kurrë mos thuaj kurrë. Do ishte nder për mua, por ndoshta në një moment tjetër.

Oferta nga Partizani? Në fakt ka pasur interesim nga persona me influencë te klubi i Partizanit. Por, gazeta e bëri fakt të kryer që unë do isha trajner i Partizanit, e habitshme”.