Goli i shënuar nga Xhevahir Sukaj ditën e djeshme në ndeshjen Vllaznia- Lushnja sigurisht që ka bërë xhiron e mbarë botës përmes internetit.

Aq sa është krahasuar edhe me atë të Ibrahimoviç. Në Shqipëri kuptohet që nuk ishte parë më parë një gol i tillë.

E ka shënuar 41 vjet më parë një tjetër futbollist i Vllaznisë Lutfi Basha një të ngjashëm në ndeshjen e Kupës Ballkanike ndaj Panathinaikos por distanca ka qenë më e afërt.

Por goli i djeshëm sigurisht që do të hyjë në histori. Ka patur shumë diskutime por edhe referime në media për distancën e shënimit të këtij goli.

Diku rezulton të shkruhet 60 metra, diku tjetër 55 e kështu me rradhë.

Pikërisht për këtë arsye, “Shkodra Sport” ka biseduar me specialistin e terreneve sportive pranë Klubit Vllaznia, njëkohësisht punonjës i fushës së stadiumit “Loro Boriçi” Mark Sterkaj që na saktëson dhe njëkohësisht zyrtarizon distancën në fjalë.

“Ne e kemi matur pas ndeshjes dhe rezulton të jetë kjo distancë e shënimit të këtij goli të jetë 60.3 metra.

Po jua shpjegoj pse del kjo distancë. Fusha aktuale e këtij stadiumi është e gjatë 105 metra. Çka do të thotë se nga porta e deri tek vija e mesit të fushës janë 52.5 metra.

Nga vija e mesit të fushës dhe deri tek vendi i gjuajtjes së topit janë edhe 6.8 metra të tjera.

Ndërkohë, vija e përshkruar nga topi nuk është e drejtëpërdrejtë por ka një diagonale, që ia shton edhe 1 metër distancën dhe në total, distanca nga vendi ku Sukaj ka gjuajtur topin dhe deri në portë është 60.3 metra”- ka thënë ai.
© shkodrasport.com