Trofeu i UEFA Conference League u prezantua në sheshin “Skënderbej”, nga aty ku folën ambasadori i finales, Lorik Cana, dhe më pas kreu i FSHF-së, Armando Duka. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, u shpreh:

“Zonja e zotërinj, vajza dhe djem, mirëdita dhe mirë se keni ardhur në këtë event të rëndësishëm. Për ata që janë të huaj, mirëseerdhët në Shqipëri. Mirëseerdhët në Tiranë. Sot është një ditë e veçantë, një ditë e bukur për ne, për mua, për Lorikun, për Erjonin.

Është një ditë e veçantë për Tiranën, ditë fantastike, pasi e pret këtë trofe historik për herë të parë. Është një ditë e bukur për ata të huaj që kanë vizituar Shqipërinë. Ne, me sjelljen tonë, duam t’i bëjmë të huajt të vijnë sërish në Tiranë.

Sot është një ditë e bukur gjithashtu për futbollin shqiptar, që pas një pune voluminoze, arriti një objektiv madhor, që të organizojë një kompeticion të rëndësishëm.

U bëj thirrje tifozëve italianë, holandezë e të gjithëve atyre që kanë ardhur në Tiranë, ta shijojnë këtë aktivitet, këtë finale, e të mos jetë i fundit për ne shqiptarët. U uroj suksese të dyja skuadrave finaliste. Faleminderit dhe ta shijojmë të gjithë bashkë”, u shpreh Duka./newsport/