Merkato e verës në futboll do edhe pak ditë që të startojë dhe gjithë skuadrat do bëjnë gati lëvizjet e tyre. Vllaznia ende pa u hapur kjo dritare e transferimit, ka humbur një element të rëndësishëm për sezonin që vjen. Ai është Ardit Krymi që do largohet në drejtim të Bjellorusisë tek ekipi i Shakhtar Solygorsky.

Zëvendësimi i numrit 6-të do jetë shumë i vështirë për tu bërë dhe prandaj edhe drejtuesit e Vllaznisë po kërkojnë opsionet më të mira në treg. Një emër që është lakuar edhe në të kaluarën te shkodranët është edhe ai i Eslit Sales. Mesfushori shkodran që aktivizohet në Maltë tek Valletta ka mbyllur sezonin në ishull dhe tashmë ndodhet me pushime në Shkodër.

Sipas informacioneve të “Shkodra Sport” , 21-vjeçari duket se nuk do kthehet më në kampionatin maltez dhe do kërkojë një aventurë të re në sezonin e ri. Sala është prej 3 sezonesh pjesë e futbollit në Maltë ku në edicionin që sapo u mbyll ai ishte ndër më të spikaturit e kampionatit ku në rolin e mbrojtësit të djathtë apo edhe mesfushorit para mbrojtjes ai ka arritur të shënojë 6 gola dhe të dhurojë 4 asist.

Ish-futbollisiti i akademisë Ajaks do ishte një opsion i vlefshëm për skuadrën e Vllaznisë. Pavarësisht se konkurrenca për ta marrë në ekip do jetë e madhe, kjo pasi për mesfushorin ka interes edhe nga kampionati kroat apo ai slloven. Megjithatë gjithçka i duhet lënë kohës dhe lëvizjeve në merkato të skuadrës kuqeblu.

Endri ÇINARI