Ditët kalojnë, ndoshta si pa u ndjerë, por në fakt në familjen Kraja këto 365 ditët e fundit nuk kanë kaluar kaq lehtë. Ka qenë një vit shumë i vështirë sepse askush nuk mund ta besonte që Nefaili do t’i linte kaq shpejt, që në moshën 62 vjeçare.

Kur doli lajmi i ndarjes së tij nga jeta, shumëkush nuk e ka besuar dhe ka hapur mirë sytë dhe veshët për të kuptuar nëse kanë gabuar me atë çfarë kanë lexuar apo dëgjuar.

Ata kishin në mendjen e tyre ende Nefailin me trup të bëshëm që jo vetëm si sportist ka qenë shumë i fortë, por edhe më pas, atë peshkatari që qëndronte thuajse gjithë kohën në ujërat e ftohta të Drinit por që atij nuk i bënte aspak përshtypje.

Nefaili është lidhur herët me sportin dhe zgjedh pikërisht atletikën duke u angazhuar shpejt tek ekipi i Vllaznisë, pikërisht në grupin e hudhësve dhe profilizohet tek shtiza.

??????????????????????????????????????????

Një sportist me një vullnet shumë të madh dhe rezultatet nuk do t’i mungonin. Pas Vllaznisë, do të kalonte tek Partizani gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, para se të kthehej sërish në Shkodër.

Këtë herë do të kishte trajner, një ish- kolegun e tij sportist, pikërisht të ndjerin Kujtim Rrjolli dhe bashkë me Pjerin Tafilin apo dhe të tjerë hudhësa, arritën rezultate shumë të mira edhe në vitet ’80 duke i dhuruar jo pak suksese ekipit të Vllaznisë.

Shokët dhe kolegët e tij e kujtojnë atë si një djalë me shumë vullnet që stërvitej me orë të zgjatura, dhe për rrjedhojë të gjitha këto e kishin bërë atë një sportist shumë të mirë në vend.

??????????????????????????????????????????

Por ndërkohë, pas lënies së sportit, për një periudhë të shkurtër Nefaili do të bënte edhe rolin e trajnerit duke nxjerrë kampionë të tillë si Vladimir Sokoli etj.

Ndërkohë, pas viteve ’90 do t’i përkushtohej më së shumti peshkimit dhe ishte një nga më të njohurit në Shkodër, por gjeti kohë që të mos largohej sërish nga sporti. Anëtarësohet në shoqatën e veteranëve dhe merr pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare duke u shpallur madje edhe Kampion Ballkani.

Në familjen Kraja shumicën e kohës flitej për sport. Kjo sepse përveç Nefailit, edhe bashkëshortja e tij vinte nga një familje sportive, ishte e bija e futbollistit të mirënjohur Bimo Fakja dhe përpos kësaj, djali i këtij çifti- Ervisi. ka qenë një futbollist i njohur i Vllaznisë dhe shumë ekipeve ndërkohë që prej vitesh bën edhe detyrën e trajnerit.

Mungesa e Nefailit është e madhe në këtë familje. Askush nuk e beson se ai nuk është sërish pranë tyre. Sot mbushet një vit që ai i mungon atyre dhe jo vetëm. I mungon të gjithëve. Megjithatë emri i mirë që ka lënë pas, është kujtimi më i mirë për Nefail Krajën, kujtim që do të mbesë gjatë në mendjen dhe memorien e të gjithëve.
Gjergj KOLA