Në ndeshjen e parë ka qenë më e mira në fushë për ekipin e Vllaznisë. Vërtetë futbollistet e ekipit kundërshtar ishin të një niveli të lartë, por numri 5 i ekipit shkodran nuk i linte gjë mangut.

Arbiona Bajraktari është një nga pikat më të forta të tij dhe në fakt kërkon të jetë modeste kur ia kujton atë paraqitje dhe vlerësimin që mori nga specialistët. “Normalisht që më bën të ndihem mirë kur më vlerësojnë, por normalisht pa ndihmën e ekipit as nuk do jëm në 100 % tim”- thotë ajo në një prononcim për “Shkodra Sport”.

Por gjithsesi Vllaznia e humbi atë takim të parë ndaj Fortunës dhe kjo ka lënë një shije deri diku të keqe, megjithatë mbrojtja e Vllaznisë dhe e kombëtares shqiptare mendon se ekipi ka ende shpresa.

“Normalisht që është një ndjenjë e keqe kur humbet, por e rëndësishme është që ekipi luajti mjaft mirë. Patëm raste për të shënuar gol, njëri edhe në minutën e fundit, po ashtu edhe në minutat e para, kështu që është një shpresë për ne që në ndeshjen e kthimit që të luftojmë sa më shumë dhe t’ia arrijmë. Ishim të gjitha lojtaret në 100 % tonë por ja që nuk ia arritëm. Nuk është një dëshpërim për ne pas jemi duke u përgatitur për ndeshjen e kthimit”- shton numri 5 i Vllaznisë.

E pyetur për shanset që kanë për kualifikim në takimin e kthimit të javës së ardhshme në Danimarkë, Bajraktari thotë: “Normalisht që nëse do ta vlerësojmë vetën më shumë dhë të japim më të mirën tonë ka shanse të mëdha që ne të kualifikohemi dhe te dalim sa më mirë por gjithçka mbetët të shihet pas ndeshjes.

Unë kam shumë besim te ekipi im duke parë ndeshjen që kemi bërë këtu në stadiumin tonë. Ishte më shumë emocionale që nuk mund të jepnim më të mirën tonë pasi ishte hera e parë që luanim në vendin tonë dhe kjo është një përvojë shumë e madhe për ne dhe besoj se atje do jemi më të çliruar emocionalisht dhe do ia dalim sa më mbarë”.
© shkodrasport.com