Merkato është në ditët e fundit, por në Shqipëri janë duke përgatitur skenarët më të frikshëm. Prej disa ditësh, në fshehtësi totale, dy skuadra që janë duke u rivalizuar për titullin kampion po e bëjnë edhe jashtë fushe, këtë herë, në dy tavolina të ndryshme. Bëhet fjalë për Partizanin dhe Kukësin, që duan t’i dhurojnë tifozëve të tyre një goditje “big”, nga ato që mund të ngrenë në këmbë stadiumin.

Telesport ka arritur të zbulojë se dueli mes Partizanit dhe Kukësit ka vetëm një emër: Armando Vajushi. Ish-futbollisti i kombëtares së Shqipërisë nuk ka firmosur me Botosanin, siç edhe është përfolur dhe shkruar. Në bisedime prej disa kohësh, madje duke bërë edhe fazën përgatitore me skuadrën rumune, Vajushi i ka thënë “jo” ofertës së klubit në fjalë.

Motivi? I gjithi ekonomik. Botosoni nuk arriti të përmbushte kërkesat financiare të futbollistit dhe kushtet e kontratës, ndërsa e njëjta gjë është duke ndodhur edhe me dy skuadra nga Qipro, që janë interesuar për shërbimet e shkodranit.

Vajushi, që ka mbetur pa skuadër që pas aventurës me Avellinon në Serie B, sezonin e shkuar, pret telefonatën e duhur dhe ajo pritet të vijë së shpejti. Kukësi është shumë pranë futbollistit dhe fati të plotësojë dëshirat e tij, për t’i dhënë trajnerit Cungu një futbollist që njeh mirë dhe që mund të ketë pikë tepër të fortë.

Futbollisti ka biseduar, madje, në telefon edhe me drejtuesit verilindorë, duke rënë dakord parimikisht, por ende jo zyrtarisht. Pikërisht në këtë hapësirë është futur Partizani, që po vlerëson mundësinë. Trajneri Gega ka dhënë “Ok” për futbollistin që gjithashtu e njeh mirë pasi e ka stërvitur te ekipi U-21 i Shqipërisë.

Dueli sapo ka nisur, ndërsa futbollisti shkodran pret telefonatën e duhur për t’u nisur drejt Shqipërisë. Kukësi apo Partizani, të shohim kush do të fitojë jashtë fushe./telesport.