Armando Vajushi vazhdon të konfirmojë javë pas jave në Rumani se po kthehet përsëri në formën e tij më të mirë. Me problemet fizike pas krahëve, ai është kthyer të japë spektakël me lojën e tij dhe të shënojë gola, duke ndihmuar ekipin e Petrolul Ploiesht që të luftojë për ngjitjen në elitën e futbollit rumun.

Futbollisti ka shënuar sot dy gola të tjerë që në pjesën e parë të ndeshjes në transfertë të Petrolul në fushën e Csikzereda.

Goli i parë erdhi me penallti, të cilën ai e transformoi me qetësi duke i dhënë avantazhin ekipit të tij, ndërsa goli i dytë ishte një goditje shumë e bukur nga jashtë zone, që i dha mundësinë Vajushit të festonte përsëri me shokët e skuadrës teksa çonte shifrat në 2-0.

Vajushi zgjodhi Petrolul, edhe pse në kategorinë ë dytë rumune, për të tentuar atje riaftësimin e plotë nga dëmtimet që e kanë shqetësuar në vitet e fundit dhe duket se i ka lënë pas ato përfundimisht.

Nëse vazhdon me ritme të tilla e me gola siç po shënon në këtë fillim kampionati, qëndrimi i shkodranit në kategorinë e dytë rumune nuk do të jetë shumë i gjatë. /vipsport.