Sulmuesi i Vllaznisë Armando Vajushi është shprehur mjaft i entuziasmuar pas marrjes së çmimit “Topi i Artë 2011” mbrëmjen e së enjtes nga duart e presidentit të FSHF-së Armando Duka. Duke folur për gazetarët, ai është shprehur: “Ky është një vlerësim i madh për mua dhe natyrisht i falenderoj të gjithë ata që më kanë votuar. Sigurisht që ky është vlerësim por njëkohësisht më shtyn për të kërkuar më shumë nga vetja në të ardhmen. Dëshira është të vazhdoj të luaj jashtë dhe për momentin po shoh në detaje ofertën që më ka ardhur nga Bullgaria prej skuadrës së Liteksit.

Përveç kësaj, janë edhe disa oferta të tjera në Europë por do i shoh me qetësi. Më kërkojnë edhe në Shqipëri dhe sidomos Skënderbeu ngul këmbë prej kohës, por unë ofertat e skuadrave shqiptare i kam refuzuar sistematikisht sepse preferoj më shumë të qëndroj tek Vllaznia sepse me të ndihem mjaft mirë. Por e përsëris, pikësynimi im është të shkoj diku jashtë. Fitorja e “Topit të Artë” për mua, është një gjë e madhe për momentin por e vogël për ambicjet e mia sepse unë kam shumë pretendime në karrierën time dhe do punoj fort për t’i arritur”. Për një 20 vjeçar gjërat po shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. “Talenti i Vitit” në maj të 2011-s, “Topi i Artë” të enjten, kapiten i kombëtares Shpresa e kontigjent i ekipit kombëtar. Pa harruar që është elementi më i mirë i Vllaznisë dhe ndoshta lojtari më i rëndësishëm i saj aktualisht.

www.shkodrasport.com