I rritur tek Akademia Vllaznia, por këtë sezon, Arsen Elbasani, po jep kontributin e tij tek Veleçiku. Nga sa është parë, në çdo ndeshje që aktivizohet, 19-vjeçari mundohet të japë më të mirën e tij.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Elbasani, ka folur për këtë periudhë pozitive që ka kaluar me Veleçikun, megjithatë ai u ndal të fliste edhe për të ardhmen e skuadrës së tij, me të cilën po luan momentalisht.

“Po, ndaj Elbasanit ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ishim përgatitur gjithë javën për këtë sfidë dhe besoj ia arritëm qëllimit që të merrnim tre pikë, ato ç’ka janë më të rëndësishme.

Për sa i përket golit tim, jam shumë i lumtur që shënova. Shpresoj të shënoj sërish dhe të jap kontributin tim për këtë ekip.

Ky është sezoni i parë i imi me Veleçikun dhe ndihem me të vërtetë shumë mirë që jam pjesë e këtij ekipit. Veleçiku ka një ambjent fantastik, kushte të mira dhe gjithçka tjetër, që i duhet një skuadre.

Deri tani, ecuria e ekipit është shumë e mirë. Jemi tre pikë larg vendit të parë dhe po t’i marrim ndeshjet me rradhë, mendoj se do të jemi në rrugën e duhur”,-thotë ai.

Ndër të tjera, Elbasani flet edhe për objektivat e Veleçikut, teksa është i bindur që me këtë ekip që ata kanë, do të ngjiten në Kategorinë e Parë.

“Objektivat e Veleçikut janë të kapim Kategorinë e Parë. Unë jam shumë i bindur që me këtë ekip, ne i kemi mundësitë për të kaluar në Kategorinë e Parë”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Veleçikut, Arsen Elbasani.
Maringlen ZHIVANI