Arsid Kruja mohon largimin nga Shkodra. I lumtur tek Vllaznia

313

Dy ditët e fundit në media ka qarkulluar lajmi se mesfushori Arsid Kruja ka menduar largimin nga Vllaznia ngaqë nuk ka gjetur hapësirat e duhura për aktivizim në sezonin e fundit. Një lajm i tillë sigurisht që ka shqetësuar vetë lojtarin por edhe familjen e tij sepse në fakt në këtë mes nuk ka asgjë të vërtetë dhe objektivi i këtij futbollisti ende nuk është largimi nga Shkodra. Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë ai në një prononcim për “SHKODRA SPORT” kur është shprehur: “Jam çuditur nga një lajm i tillë sepse personalisht jo vetëm nuk kam komunikuar me asnjë gazetar por as edhe me ndonjë skuadër tjetër.

Unë u riktheva me shumë dëshirë tek Vllaznia në fillim të sezonit duke i dhënë fund vuajteve dyvjeçare që kalova dhe firmosa një kontratë 1+1 me të, me opsionin e vetëm që pas përfundimit të sezonit të parë, mund të largohesha vetëm për të kaluar tek një skuadër jashtë Shqipërisë. Deri më tani nuk kam asnjë kontakt me ndonjë skuadër por edhe nëse do të kem, do ta shoh me kujdes sepse e kam pësuar njëherë dhe nuk dua që ta pësoj sërish të firmos me skuadra “fantazëm”. Kjo besoj se është përgjigja ime në lidhje me lajmet që qarkullojnë për largimin tim nga Vllaznia”. Mesfushori 24 vjeçar në sezonin që lamë pas duhet pranuar se nuk ka kaluar një formë të mirë sportive dhe në jo pak raste ka luajtur edhe me ekipin B, aktivizim i cili e ka ndihmuar të rritet fizikisht dhe në ndeshjet e fundit të kampionatit, bindi trajnerin Cungu për të qenë titullar. Kjo tregon më së miri se Kruja nuk ka asnjë pakënaqësi me stafin, përkundrazi premton se do të punojë fort edhe në të ardhmen për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë. “Nëse nuk kam luajtur dhe aq shumë në sezonin që lamë pas, kjo erdhi ngaqë unë nuk kam qenë në formën e duhur. Për këtë arsye, mezi po pres të nisim përgatitjet për sezonin e ri që të punoj fort dhe të rikthehem ai që kam qenë më parë. Vetëm tek kjo gjë e kam mendjen aktualisht dhe askund tjetër”- është shprehur në fund të prononcimit të tij Arsid Kruja.

© shkodrasport.com