Vllaznia ka rënë në Kategorinë e Parë, por askush nuk interesohet për klubin kuqeblu. Disa mbledhje boshe nga Kryetarja e Bashkisë-presidente, Voltana Ademi me Këshillin Bashkiak, disa të tjera me emra të njohur të sportit në Shkodër dhe pushime në… Velipojë! Asnjë hap konkret, klubi është pa struktura dhe pa trajner.

“Sport Ekspres” kontaktoi me Drejtorin e Akademisë, Alban Hasani, dhe e pyeti në lidhje me situatat që po kalon klubi shkodran.

Zyrtari i kuqebluve tregon se situata nuk është aspak e mirë dhe hapat janë të vonuara. “Gjendja e Vllaznisë është apatike, pasi nuk ka asnjë lëvizje.

Kryetarja e Bashkisë duhet të ndërhyjë shpejt dhe të vendosë trajnerin. Ky i fundit do të merret me grupin e lojtarëve se kush mund të jetë për ekipin dhe kush jo”, – shprehet fillimisht ai.

A ka aftësinë e duhur që Ademi ta kthejë në rrugën e duhur Vllazninë?

E kam theksuar dhe më parë që ekipit nuk i ka munguar asgjë nga ana financiare dhe mbështetja morale.

Kanë qenë njerëzit që e kanë rrethuar që e kanë informuar gabim, e shumë me dashje dhe me një servilizëm të pashoq në kurriz të Vllaznisë.

Po ju kujtoj se në kohën kur ishte Grima, Hasani dhe Kraja kemi udhëtuar brenda ditës në të gjitha ndeshjet në Pukë, Ballsh, Elbasan, Korçë, ndërsa këtë vit. Situata ka qenë krejtësisht ndryshe.

Si ringrihet Vllaznia?

Duhet një strategji e mirë. Këtë vit të ulen shpenzimet, pasi nuk është e nevojshme të shpenzohet njësoj si në Superiore si në Kategorinë e Parë. Duhet të nisim strategjinë e shitjes së futbollistëve.

A mendoni se me gjithë këtë pasivitet, Vllaznia mund të mbetet në Kategorinë e Parë?

Nuk e mendoj aspak. Vllaznia do të ringrihet aty ku i takon, pavarësisht se gjërat nuk janë dhe aq mirë për momentin. Kampionati fillon me 7 shtator, kemi kohë.

Kush mendoni se duhet të jetë trajneri i Vllaznisë?

Për trajner i takon Ervis Krajës për të gjithë atë që ka dhënë dhe bërë për klubin e Vllaznisë. Mbajti Vllazninë B në Kategorinë e Parë dhe mori Vllazninë e madhe kur të gjithë heshtën.

A po ndërhyjnë “të fortët” e Shkodrës në klub?

Kanë punë më të rëndësishme për të bërë, nuk kanë kohë për t’u marrë me Vllazninë. (Qesh).

Vllaznia e të rinjve sërish në Champions, a mendoni se do ta kaloni turin e parë këtë vit?

Jam i sigurt që po, pasi i kemi të gjitha mundësitë. Vitin e kaluar nuk kishim eksperiencë, ndërsa tani kemi fituar. Kemi një brez të mirë lojtarësh dhe besoj se do të bëjmë mirë./sport-ekspres/