Shkruar nga Endri ÇINARI
Egnatia është gati për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin këtë mbrëmje në fushën e Celjes, në takimin e kthimit të turit të dytë kualifikues të Champions League, me objektivin e madh për të siguruar një kualifikim historik. Pas barazimit spektakolar 3-3 në sfidën e parë të zhvilluar në “Arena Egnatia”, gjithçka mbetet e hapur dhe 90 minutat në Slloveni pritet të jenë vendimtare për fatin e rrogozhinasve në kompeticionin më prestigjioz për klube në Europë.
Skuadra e Dedes tregoi në ndeshjen e parë se ka cilësitë për të rivalizuar me një kundërshtar me eksperiencë si Celje. Pavarësisht luhatjeve gjatë takimit, Egnatia reagoi në momentet më të vështira dhe mbajti gjallë ëndrrën europiane. Tashmë, kampionët shqiptarë kanë përpara një sfidë edhe më të madhe, në një atmosferë të zjarrtë dhe në transfertë, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.
Vëmendje të veçantë do të marrin edhe tre ish-futbollistë të Vllaznisë, të cilët tashmë janë pjesë e Egnatias. Braziliani Jago, i larguar gjatë kësaj vere nga kuqeblutë, është përshtatur menjëherë me ekipin e ri dhe është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm, duke fituar besimin e stafit teknik. Ndërkohë, dy futbollistët shkodranë, Gruda dhe Smajli, pritet ta nisin sfidën nga stoli, por mbeten alternativa të rëndësishme që mund të japin kontribut nëse aktivizohen gjatë lojës.
Një kualifikim i mundshëm do të ishte jo vetëm suksesi më i madh në historinë e Egnatias, por edhe një arritje me peshë për futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Kalimi në turin e tretë të Champions League do të rriste prestigjin e kampionëve të vendit, ndërsa do të konfirmonte edhe progresin që klubet shqiptare kanë bërë vitet e fundit në garat europiane.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”


