Përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë me emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa, ish- sulmuesi i Vllaznisë Auron Miloti
që tashmë bën detyrën e trajnerit në kategorinë e katërt në Austri, ka shprehur dëshirën që pse jo, një ditë të
drejtojë nga pankina ekipin e Vllaznisë.
“Kur kemi filluar të luajmë futboll, e kemi patur ëndërr të luanim me ekipin e parë të Vllaznisë. I shikonim lojtarët
si idhuj dhe kur kam luajtur ndeshjen e parë, e kam quajtur një sensacion. Si rrjedhojë edhe tashmë si trajner,
kuptohet që është ëndërr e gjithësecilit ta drejtojë atë.
Dëshira është që në vitet e ardhshme të jem edhe unë një kandidat për ta drejtuar ekipin tim të zemrës. Kuptohet që
nuk është aspak e lehtë, por ky është një synim i imi”- ka thënë Miloti.
Ish- sulmuesi i Vllaznisë dhe i Tiranës, ka folur edhe për karrierën e tij dhe është ndalur tek disa lojtarë që ai ka
pëlqyer gjithmonë e po ashtu edhe trajnerët që ka pëlqyer.
“Si idhuj me të cilët jam rritur kanë qenë Hysen Zmijani, Bardh Jera dhe Luan Vukatana. Kuptohet që për efekt të
moshës nuk kam mundur të luajë përkrah tyre, por jam munduar të marr prej tyre elementët kryesorë dhe të mundohem t’i
kopjoj në lojën time. Jam munduar të kopjoj zgjuarsinë e Vukatanës, teknikën e Zmijanit dhe grintën e Jerës.
Por nga ana tjetër, gjatë karrierës time kam realizuar një ëndërr tjetër: Atë duke luajur përkrah emrave të tillë si Arben Minga e Agustin Kola. Ka ndodhur në sezonin 1995-96 kur unë luaja për Tiranë dhe të luaja me këto dy kollosë të futbollit shqiptar, ka qenë vërtetë diçka fantastike.
Ndërkohë si trajner, më ka pëlqyer në moshën e re kur më ka drejtuar Taip Piraniqi, ndërsa kur kam luajtur tek Tirana, më kanë pëlqyer dhe i kam marrë si modele Sulejman Memën dhe Shkëlqim Muçën”.
© shkodrasport.com