Pasditen e sotme Federata Malteze e Futbollit ka vendosur të zyrtarizojë ekipin e Florianës si kampione e këtij vendi për sezonin 2019-2020. Një vendim i tillë ka dalë pas një votimi të gjithë drejtuesve të Federatës dhe për këtë arsye, shumica e tyre kanë votuar për të shpallur kampion, ekipin kryesues të kampionatit në momentin e ndërprerjes së kampionatit për shkak të pandemisë. Si rrjedhojë, kampion i këtij vendi është edhe një shkodran: Kristian Keqi.

Në këtë mënyrë, për 23 vjeçarin ky sezon ka qenë vërtetë i shkëlqyer sepse kurorëzohet me dy trofe: atë të kampionit si ekip, ndërkohë që ka merituar edhe titullin e golashënuesit më të mirë të kampionat.

Me 14 gola të shënuar në 20, sulmuesi i lindur në Firence të Italisë, ka shkëlqyer në të parin sezon duke luajtur në Maltë dhe me siguri që kjo ecuri ia ka rritur edhe më shumë “piacën” dhe nuk përjashtohet mundësia që sezonin e ardhshëm ta shohim duke luajtur në një kampionat tjetër.

Por gjithsesi, Floriana do të synojë ta mbajë sepse me të në sulm, gjërat i kanë shkuar mirë dhe golat e shënuar nga Kristian Keqi e kanë ndihmuar atë të mbajë vendin e parë në renditje dhe të kurorëzohet kësisoj si kampione e këtij vendi.

Drejtuesit e Florianës por sidomos tifozët e kësaj skuadre, e kanë trajtuar si idhull dhe me siguri që do të bëjnë çmos për ta mbajtur edhe sezonin e ardhshëm në rradhët e tyre.
© shkodrasport.com