Vetëm 21 vjeç dhe karriera e tij njeh vetëm ngjitje. Kampionë në Shqipëri, pjestar i ekipit kombëtar, pjesmarrës në Kampionatin Ballkanik dhe së fundi, fitues i medaljes së artë në mitingun ndërkombëtar që u zhvillua tre ditë më parë në Tivar të Malit të Zi. Ky është shkodrani Bajram Muça. Shumëkush mund ta paragjykojë suksesin e fundit duke e quajtur thjesht një turne por në fakt nuk ka qenë i tillë. Në garën e fituar prej tij, atë të 100 metrave, kanë marrë pjesë plot 30 sportistë nga vende të ndryshme të Europës. Në mes tyre, ka triumfuar ai, duke zënë vendin e parë dhe duke merituar medaljen e artë.
Vetë Muça në një prononcim për “SHKODRA SPORT” në lidhje me suksesin e tij të fundit do thoshte: “Mendoj se kam zhvilluar një garë të mirë dhe kuptohet që triumfi i arritur më ka gëzuar. Sigurisht që rezultati 11″2 i arritur në këtë garë, nuk është më i miri por të mos harrojmë se shpejtësia e erës gjatë zhvillimit të garës ka qenë mbi normat e lejuara, -4 m/s, pra dy herë më shumë sesa normalja dhe kjo natyrisht që ndikoi jo vetëm tek rezultati im por në të gjitha garat e zhvilluara në këtë miting. Gjithsesi vendi i parë që arrita më gëzon dhe më motivon edhe më shumë për të ardhmen”. Objektivi i tij i rradhës tashmë është përqendruar tek kampionati kombëtar që do të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe ku do të synojë të shpallet kampion në dy disiplina sportive. “Bashkë me trajnerin tim po stërvitem shumë për kampionatin kombëtar. Ende nuk e kemi vendosur se në cilat disiplina do të konkurroj sepse unë jam përgatitur për 100 m, 110 m/p dhe 200 m por sipas rregullores, lejohet pjesmarrja vetëm në dy gara. Natyrisht që në ato dy gara që do të marr pjesë, do synoj të shpallem kampion. Ky është synimi im i afërt ndërsa me shtrimin e tartanit në stadiumin “Loro Boriçi” do të punoj edhe më fort, pastaj për të tentuar thyerjen e rekordeve kombëtare të këtyre garave”- ka thënë në fund atleti i Vllaznisë Bajram Muça.
Gjergj KOLA