Partizani-Vllaznia ishte ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena” u mbyll në barazim 0-0, ndërsa në minutat e fundit, gjyqtari Olsid Ferataj nuk akordoi një gol të rregullt të Aralicës.
Një skandal që ka pushtuar të gjitha mediat shqiptare, ndërsa për këtë rast ka reaguar edhe Ervin Baku. Gazetari sportiv përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se me këtë gol të anulluar është një turp i madh për të gjithë, teksa shprehet se goli i Vllaznisë shënuar nga Ante Aralica mbrëmjen e sotme ndaj Partizanit për gjysëmfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, është mëse i rregullt.
Baku e ka ndjekur ndeshjen Partizani-Vllaznia në tribunën mediatike të stadiumit “Elbasan Arena”, prej nga ku ka filmuar edhe momentin e mbylljes së ndeshjes, si edhe shoqërimin e trupës gjykuese me në krye kryesorin Olsid Ferataj për në dhomat e zhveshjes.
“Goli i Vllaznisë ishte i rregullt. Turp të anullosh një gol të tillë. Skandal të anullosh një gol të tillë. Ndeshja e kthimit Partizani-Vllaznia, në Shkodër më 13 prill”,-shkruan në statusin e tij, gazetari sportiv, Ervin Baku.
Maringlen ZHIVANI