Në stadiumin “Korabi” të Peshkopisë është luajtur pasditen e sotme takimi ndërmjet Korabit vendas dhe Olimpikut, takim i cili përfundoi në barazim 1-1. Vendasit e nisën mjaft mirë takimin duke ushtruar presion në portën kundërshtare, por miqtë nga Tirana në minutën e 34-të, duke përfituar dhe nga një gabim i mbrojtjes vendase, arrijnë të zhbllokojnë rezultatin me anë të Londos. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e kësaj ndeshje. Në pjesën e dytë vendasit hidhen tërësisht në sulm për të barazuar por vetëm në minutën e 75-të do të barazonin rezultatin me anë të Brahasanit. Minutat e mbetura nuk sollën ndryshim rezultati pasi portieri mik ka qenë më i miri në fushë për të dyja ekipet. Vlen të përmendet dhe gjykimi mjaft korrekt i treshes nga Shkodra me kryesor Agron Kastratin dhe asistentët e tij N.Sterkaj e A.Mehmedaj. Ndeshja është luajtur në një ditë pranvere, megjithatë dëbora vazhdon të jetë e pranishme në pistën e stadiumit.

Nga Peshkopia

Fatmir ZHUZHI