Ka mjaftuar një gol dhe Tërbuni i Pukës ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertën e sotme të Koplikut ndaj Veleçikut vendas. Me këtë gol dhe me rezultatin e ngushtë 1-0, pukjanët kanë marrë një fitore shumë të rëndësishme duke ruajtur kështu vendin e parë në tabelën e renditjes. Agastra e ka dërguar topin në rrjetë në minutën e 50-të të ndeshjes dhe megjithë përpjekjet, koplikasit nuk kanë arritur dot të barazojnë. Me këtë trepikësh, Tërbuni është ngjitur në kuotën e 25 pikëve pas javës së 9-të të kampionatit me 8 fitore dhe 1 barazim. Madje, i vetmi barazim për këtë skuadër ka qenë ai i fazës së parë pikërisht ndaj Veleçikut në Pukë. Nga ana tjetër, edhe rivali kryesor i Tërbunit, pikërisht Sukthi ka fituar 4-1 sot ndaj Egnatias duke e ruajtur vendin e dytë me 21 pikë. Veleçiku i Koplikut ndërkohë është në vendin e pestë në renditje me vetëm 12 pikë të grumbulluara por pa patur asnjë pretendim për vazhdimin e mëtejshëm të kampionatit. Thjesht për t’u pozicionuar në mesin e tabelës.

www.shkodrasport.com