Bledi Shkëmbi e ka cilësuar një barazim të rëndësishëm për moralin atë të siguruar nga skuadra e Dinamos përballë Vllaznisë. Trajneri i bluve tha për “Supersport” pas sfidës se ekipi kishte bërë mirë, por nuk ishte plotësisht i kënaqur me atë që kishte bërë skuadra.

“Kryesorja ishte dëshira e impenjimi. Mund të them se ishte impenjimi i lojtarëve, bëmë një pjesë të parë të mirë, patëm raste për të shënuar. Për fat të keq vazhdojmë të mos shënojmë edhe me raste të pastra. Ndoshta gjatë 90 minutave nuk ishte ndeshje e mirë, pas zëvendësimeve mund të bënim pak më mirë. Megjithatë, po e quaj një barazim që nga ana psikologjike do të na bëjë mirë për situatën që po kalojmë.

Në fakt kemi disa lojtarë më shumë e vazhdojmë të kemi disa probleme ku edhe disa lojtarë, ata që ishin në fushë, Maliqi e Bardhi, nuk janë në gjendjen maksimale. Por mendoj se me zgjidhjet që bëmë të paktën në pjesën e parë reaguam mirë dhe ekipi na u përgjigj.

Komplimente shumë Simonit. Ne si klub e dinim që ai në portë ndoshta do të kishim dashur të luante më shpesh apo më herët. Por kur ke tre portierë të mirë, secili duhet të presë shansin e tij. Në këtë moment ishte i Simonit, si Bakaj shfrytëzoi shansin e tij kur u dëmtua Harizaj. Më vjen mirë që sot një 17 vjeçar bën shumë mirë në portë e nuk ndjeu presionin e ekipit në këto momente ku ne për të qenë të sinqertë e ndjejmë mungesën e rezultatit.

Ndoshta ne duhet të jemi shumë më të duruar me të rinjtë, më e mirë do të ishte të ecte paralel rezultati dhe përmirësimi i të rinjve. Për fat të mirë klubi nuk e ka humbur në asnjë moment besimin te këta të rinj, jemi mbështetës të të rinjve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë.

Personalisht mendoj se merkato mund të na ndihmojë në ndonjë repart, por kemi raste e nuk godasim portën. Ndoshta edhe raste të pastra, edhe cilësia, qetësia para portës dhe presioni që kemi në këto momente për të shënuar e fituar ndeshje, se për fat të keq nuk po e bëjmë mirë këtë pjesë.

Sulmuesit nuk e kanë shfrytëzuar shansin si duhet, mendova Ibraimin si sulmues i fshehtë se na jep më shumë qetësi me veprimet teknikë, është më i sigurt për të mos humbur topin. Në fillim e vuajtëm shumë këtë pjesë, ndoshta pa pikë referimi, mund të vertikalizonim siç bëri Bardhi. Por nuk mendoj se e bëmë mirë këtë pjesë siç e kishim përgatitur. Mendoj se në pjesën e parë na shkoi shumë mirë”, tha Shkëmbi.