Dinamo dhe Vllaznia kanë barazuar 0-0 për javën e 14 të Superligës. Ndeshja e zhvilluar këtë të premte në “Elbasan Arena” ka qenë e luftuar dhe me dy skuadrat që kanë marrë dominimin në pjesë të ndryshme të lojës.

Pas tre humbjeve radhazi, Dinamo kthehet të marrë pikë falë portierit Simon Simoni, që në debutimin e tij në Superligë bën një paraqitje fantastike. Një portier 17 vjeçar që duket se do shtojë konkurrencën te Blutë.

Pjesa e parë ka qenë e dominuar nga Dinamo, që ka shpërdoruar disa raste. E dyta ka qenë më e luftuar nga Vllaznia, që nuk kaloi dot mbrojtësin e fundit, adoleshentin Simoni.

Pas javës së 14, Vllaznia mban vendin e tretë me 24 pikë, përkundrejt vendit të 7 të Dinamos me 14 pikë në po kaq javë.

Pas ndeshjes për Gol pas Goli foli njeriu i ndeshjes, kapiteni i Dinamos, Agim Ibraimi.

“Duke nisur nga përvoja, harmonia e tepërt në ekip dhe pesë muaj që nuk kemi asnjë sherr në ekip ka ndikuar. Në futboll duhen xixa, do ashpërsi. Konkurrencë më të fortë në stërvitje për të pasur ngritje. Kemi lojtarë me cilësi.

Dominim – Pjesën e parë e kishim ne, të dytën Vllaznia. Treguam se çfarë donim në fillim. U mundova t’i jap frymë ekipit, u tërhoqëm në pjesën e dytë për shkak të ngërçit psikologjik.

Përforcime – Janë në skuadër lojtarët. Çdokush do e demostojë në fushë sa vlen. Deri në ndeshjen me Skënderbeun kemi qenë mirë, më pas me dy fytyra, që është negative. Për përforcime duhet të flasë drejtori dhe trajneri.

Dhomat e zhveshjes – Presidentit i jemi borxhli dhe do ja kthejmë. Kjo harmonia e tepërt ka ndikuar. Do bëjmë ndonjë zënkë. Me Imamin përshembull. Mihana nuk të kthen fjalë edhe nëse i thua gjë. Askush nuk do zëvendësim. Duhet të kuptojmë se ndonjë ditë nuk është jona, gabimet mbulohen nga shokët ndaj është sport kolektiv. Falenderoj portierin e ri”, tha Ibraimi.