Kriza ka kapluar Bajer nin në të gjitha frontet, pavarësisht kompeticionit ku ata shkelin. Pas eliminimit në Kupën e Gjermanisë, e cilësuar si surprizë, poshtërimit në duelin e parë të Champions-it mbi fazën çerekfinale, tashmë edhe Bundesliga shikohet mes pasigurish.

NDESHJA- Bavarezët kërkonin reagim të fortë pas disfatës së thellë në “Etihad Stadium” dhe Hofenhaimi i plotësonte kriteret në letër për të arritur diçka të tillë. Megjithatë, në fushë dëshmojnë krejt të kundërtën. Rrjeta e Benzhamë Pavar në pjesën e parë rezultoi e pavlefshme për të siguruar pikët e plota. Kramariç nëpërmjet finalizimit spektakolar nga goditja e lirë i vuri vulën barazimit si rezultat përfundimtar.

MYLER- Kapiteni i rekordmenëve gjermanë e nis takimin karshi Hofenhaimit nga minuta e parë, ndryshe nga sfida e fundit. Gjithsesi, kontributi i 33-vjeçarit nuk dha efikasitet për të ndryshuar shifrat. Myler nuk e pati të vështirë të vendoste gishtin mbas këtij rezultati çuditës, duke njohur supermacinë e tyre në Bundesligë.

“FAJTORI”- “E vështirë ta kujtoj se përse nuk mbajtëm të njëjtin temp si në stërvitjen e së premtes. Sikur ishim të shteruar nga energjitë. Mendoj se fillimisht trajneri duhet të shkundë njëherë veten mbi skemat që kërkon të aplikojë në skuadër dhe më pas të vështrojë reagimin”, pohonte me tone të larta nervozizmi futbollisti me numër 25 nga kampi i “diktatorëve” të Bundesligës në dekadën e fundit.

FATI- “Sigurisht duhet ta pranojmë se Shtutgarti na dha ndihmë të jashtëzakonshme në marrjen e barazimit me Dortmundin në limitet e kohës së rregullt, pavarësisht rrethanave ku ata ndodheshin. Treguesi në fjalë bën të kuptosh se sa e hapur është gara në kampionat dhe lëshime të tilla mund të vijnë me pasoja më të rënda në duelet e ardhshme, nëse nuk japim më të mirën”, theksonte lojtari më i vjetër në grupin aktual të ekipit. Pohimet e “plakushit” Myler deshifrohen si vigjilencë për grupin, madje edhe aty ku para një sezoni cilësohej si “pronë” e tyre (Bundesliga) po lëkundet gjithmonë e më tepër, me Dortmundin të ngjitur pas me vetëm dy pikë diferencë.

VAZHDIMËSIA- “Kalimi i javëve ka rritur edhe dozat e presionit, ku mund të shkatërrosh punën e një viti apo ta kurorëzosh, prandaj ndeshjet mbartin vlerë kaq të madhe, fiks si finale. Koha për të reflektuar dhe të nxjerrim mësim në betejat e ardhshme”, e mbylli prononcimin Myler. Pas 28 javësh kampionat, Bajerni mban pozitën e liderit me 59 pikë, 2 më tepër se Dortmundi, të cilët nga krahu tjetër kishin mundësinë e artë për të “bashkëjetuar” me rivalët në majë, ndonëse ranë në fund ndaj një Shtutgarti “të plagosur”.