Besëlidhja nuk shkoi më shumë se barazi mi 2-2 në javën e tretë të kampionatit ndaj Egnatias, në një ndeshje mjaft të luftuar.

Gjithçka po fliste për lezhjanët dhe pritej thellimi i rezultatit, por minutat e fundit ishin dramatike. Për 5 minuta rrogozhinasit barazuan nga 2-0 në 2-2, kështu që Besëlidhja tani mban vendin e 4-t, 2 pikë më pak se Shkumbini kryesues.

Drejtuesit e klubit kanë shënjestruar fajtorët dhe i pari që komenton shkaqet e humbjes është presidenti Gjok Noka, i cili për “Panorama Sport” thekson: “Barazimi ndaj Egnatias nuk erdhi si pasojë e epërsisë së kundërshtarit apo lojës sonë të dobët, por nga dy gabime amatoreske të portierit.

Ai është fajtori kryesor me dy gola të pësuar për 5 minuta. Besëlidhja shpërdoroi, madje na u anulua padrejtësisht një gol i Hajdarit.

Sëmundja e shekullit është gjykimi në futbollin tonë, por ia dolëm të shënonim në pjesën e parë dhe në të dytën. U mendua se ndeshja kishte mbaruar me fitoren tonë, madje prisnim gola të tjerë, por ndodhi e kundërta.

Egnatia shënoi një gol qyl për faj të portierit, i cili e braktisi portën pa arsye. Ai gol e shokoi skuadrën, që thuajse u shpërbë për njëfarë kohe, por përsëri e rimori veten. Në aksionin e vetëm rrogozhinasit fituan një këndore dhe nga ai kros erdhi goli i dytë, disi i çuditshëm, vetëm për faj të portierit.

Në vend ta kapte apo grushtonte, ai e shtyu topin me sup drejt rrjetës, duke i dhuruar barazimin kundërshtarit. Dy golat e pësuar e ngarkuan skuadrën shumë psikologjikisht dhe nuk ishte e qartë në aksionet e saj, ndonëse luftoi fort për golin e avantazhit.

Barazimi nuk është ndonjë dramë, pasi kampionati është në hapat e parë dhe jemi vetëm 2 pikë larg kreut, por jam i shqetësuar për gabimet e portierit, që na sollën këtë rezultat, duke i dhuruar Egnatias një pikë qyl në Lezhë.

Tani po mendojmë për ndeshjet e radhës, ku besoj se nuk do të ketë më gabime amatoreske, pasi do t’i vëmë pikat mbi ‘i’ në analizën e radhës. Jam i vendosur ta çoj deri në fund luftën për ta ngjitur skuadrën në Superiore, pasi i kam mundësitë”. Kështu, “fatura” e 2 pikëve të lëna nga Besëlidhja të shtunën ndaj Egnatias i shkon portierit Bajri.