Barcelona hedh një hap të rëndësishëm drejt titullit kampion. Skuadra e Ernesto Valverdes ka fituar “El Clasicon” e shumëpritur ndaj Realit të Madridit në “Santiago Bernabeo” me rezultatin 3-0. Fraksioni parë i ndeshje dominohet nga vendasit që kanë disa mundësi të mira shënimi me Ronaldon dhe Benzeman, por portugezi dhe francezi nuk janë të qartë para portës së Ter Stegen. Në krahun tjetër futbollisti më i rrezikshëm është Paulinjo, i cili në dy raste është shumë pranë golit të avantazhit.

Portieri Navas detyrohet që në dy raste të shpëtojë ekipin e tij. Pjesa e dytë është më e bukur, pasi blaugranët zhbllokojnë ndeshjen në minutën e 54-te pas një aksioni model, teksa është Suarez që e dërgon topin në rrjetë. Ky është goli i 5-te për uruguaianin në 7 ndeshjet e fundit ndaj “galaktikëve”.

Barcelona pas disa minutash fiton një 11-metërsh, teksa Karvajal prek topin me dorë në vijën e portës duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë. Nga pika e bardhë shkon Mesi që shënon golin e 4 në 4 ndeshjet e fundit ndaj Realit dhe i 54 për vitin 2017. Minutat e mbetura sollën edhe golin e 3-të për katalanët, të shënuar nga i sapofuturi Aleix Vidal, në minutën e fundit shtesë dhe Barcelona mori një tjetër 3-pikësh mjaft të rëndësishëm në rrugën drejt titullin kampion.

Pas kësaj fitoreje, Barcelona e çon në 14 pikë diferencën me madrilenët.