Thuajse është bërë traditë, që kur lojtarët largohen nga Barcelona, herët a vonë ata përfundojnë duke folur në media për përgatitjen fizike të skuadrës, duke pasur jo pak kritika. Refreni:

“Nuk stërviten sa duhet, përgatitja fizike e ekipit nuk është në nivelin e të mëdhenjve të tjerë në Europë”, është thuajse i zakonshëm. Por çuditërisht, në rastin e Robert Levandovskit ka ndodhur e kundërta. Polaku, i cili vjen nga një ekip me reputacion për të qenë gjithmonë një superfuqi fizike (Bajern Mynih), është shumë i befasuar me nivelin fizik të seancave stërvitore të Barçës.

Ai i ka rrëfyer rrethit të tij më të ngushtë dhe një gazetareje polake se seancat në Spanjë janë vërtet të forta.

“Jam më i lodhur nga sa prisja”, tha ai, pa braktisur buzëqeshjen që e shoqëronte që kur u bë zyrtarisht lojtar i Barçës. Në fakt, shpesh Barça është kritikuar për nivelin fizik dhe problemet që ka pasur në sezonet e fundit.